Qeveria: Liberalizimi është afër, Opozita: Nuk besojmë


E shtunë, 6 Shkurt 2016

Prishtinë – Liberalizimi i vizave, sipas qeverisë, kurrë nuk ka qenë më afër. Por, opozita po e konteston një deklaratë të ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, bërë në mbledhjen e qeverisë të premten, raporton KTV.

Sipas Çollakut, kanë mbetur vetëm dy rekomandime pa u përmbushur: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe zhvendosja e Avokatit të Popullit nga objekti aktual.

Zgjim Hyseni nga Vetëvendosje thotë se nuk ka pasur hapa konkretë në fushën e drejtësisë për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ngjashëm është shprehur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane.

Ajo, në një bisedë telefonike për KTV-në, mundësinë për liberalizimin e vizave brenda vitit 2016 më shumë e ka quajtur një dëshirë.

E Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, demarkacionin me Malin e Zi e ka quajtur një kriter të padrejtë të vendosur nga BE-ja.

Më 18 dhjetor Komisioni Evropian publikoi raportin e tretë dhe të fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Transferimi i një numri të gjyqtarëve në departamentet e krimeve të rënda, krijimi i një bazë dhënash me hetime, aktgjykime të nivelit të lartë për krim dhe korrupsion dhe konfiskim të pasurisë. Ta sigurojë pavarësinë vepruese të OSHP-së dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, si të demonstrojë se legjislacioni për ndryshimin e emrave po implementohet”.

Kështu kishte thënë komisari i BE-së, Dimitris Avramopoulos, me rastin e publikimit të raportit.

Avramopoulos pritet që në fund të këtij muaji ose fillimin e marsit të qëndrojë në Kosovë.

Etiketa: , , ,