Qeveria miratoi Programin për Reforma në Ekonomi 2017


E premte, 27 Janar 2017

Prishtinë – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar Programi për Reforma në Ekonomi për vitin 2017.

Ky program e vendos agjendën e Reformave me një kontekst më të fokusuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe Kosova, si çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor, këtë dokument e dorëzon në Komisionin Evropian, në cilësinë e një shteti që fillon rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian brenda procesit të Stabilizim Asociimit, si partner i barabartë.

Kryeministri Mustafa potencoi rëndësinë që ka ky program në reformat që duhet bërë në suaza të integrimit evropian të Kosovës.

“Është një Program i cili është bashkërenditur me të gjitha ministritë dhe me të gjitha zyrat, është bërë konsolidimi i të gjitha këtyre prioriteteve mbi bazën e asaj se çfarë mund të realizohet në vitin 2017. Është një dokument tepër i rëndësishëm për ne, sepse na ndihmon që edhe të krijojmë një ndërlidhje me Programin e Stabilizim Asociimit, por edhe me Bashkimin Evropian në përgjithësi në implementimin e përcaktimit të të gjitha reformave që duhet të bëjmë në suaza të integrimit tonë evropian”, tha kryeministri Mustafa, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Kabineti qeveritar është informuar lidhur me takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetit Publik. Takimi do të mbahet më 31 janar në Bruksel, dhe është në kuadër të strukturave formale të rregullta për monitorimin e zbatimit të MSA-së.

Në takim do të diskutohet progresi në zbatimin e reformave, përfshirë edhe ato të vitit të kaluar, sfidat, dhe do të dakordohen masat që duhet ndërmarrë për zbatimin e kritereve dhe afrimin e mëtejmë me politikat e Bashkimit Evropian në një varg sektorësh, që nga infrastruktura e cilësisë së produkteve, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik, lëvizja e lirë e kapitalit, shërbimeve, shërbimet financiare, deri tek prokurimi publik, pronësia intelektuale dhe politikat e konkurrencës.

Etiketa: ,