Qeveria ndan 50 mijë euro për qytetarët e prekur nga vërshimet në Maqedoni


E mërkurë, 31 Gusht 2016

qeveria

Prishtinë – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 50 mijë euro për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët janë goditur nga vërshimet më 6 dhe 7 gusht.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se Republika e Maqedonisë është goditur nga vërshime të mëdha, ku janë goditur edhe pjesë të lokaliteteve të banuara me shqiptarë.

“Në shenjë solidarizimi dhe në frymën e fqinjësisë së mirë Kosova duhet ta ndjek shembullin e mirë në rajon dhe të ndajë mjete prej 50 mijë euro”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e 80 mijë euro për shlyerjen e obligimeve për vitin 2015 dhe 2016 për kryerjen e obligimit financiar të Qeverisë së Kosovës në këshillin për bashkëpunim rajonal me seli në Sarajevë.