QKUK: As peshk, as spinaq, e as aparat


E diel, 30 Qershor 2013

Ndonëse nuk kanë shumë buxhet për të blerë aparate të sofistikuara për analiza, dhe vazhdimisht ankohen për këtë fakt, edhe kur dikush vendos t’ia falë një të tillë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk e pranon. Kështu ka ndodhur me një aparat të tipit “Random Acces” i cili do t’ia mundësonte QKUK-së t’i kryente prej 100 deri në 140 teste të analizave biokimike në orë.

Në kohën kur spitali i Prishtinës hapi tenderin për furnizim me këtë lloj aparati, kompania që e fitoi tenderin i ofroi asaj edhe një aparat të njëjtë, tejet të avancuar si donacion. Donacioni fillimisht u pranua pa asnjë pikë problem. Por, pas katër muajsh ndodhi diçka që as vet QKUK nuk ka mundur ta arsyetojë. Ai (aparati) u kthye prapa tek kompania, për shkak se Instituti I Biokimisë vendosi të mos pranoj diçka që t’i vije falë për nevojat e veta, shkruan Express.

Donacioni nuk është e vetmja parregullsi që ka gjetur ZAP-i. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me disa produkte ushqimore për të cilat QKUK ka lidh kontratë me një kompani. Ndonëse kishin lidhur kontratë për t’i furnizuar me bizele, spinaq, peshk trofta dhe bishtaja, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, nuk i ka parë kurrë këto ushqime me sy. E aq më pak t’i ketë ngrënë.

Kompania që fitoi tenderin, as një herë të vetme prej vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, nuk dërgoi asnjë copë peshku, as spinaq e as bizele në spital. Në mungesë të këtyre furnizimeve, QKUK ishte detyruar ta ndryshoj menynë ditore të ushqimit. Pavarësisht kësaj, QKUK shpërbleu sërish kompaninë e njëjtë duke e paguar afër 29 mijë euro në muaj.

Është kjo arsyeja që ka shtyrë Zyrën e Auditorit, të mendojë se në këtë rast ka pas manipulime të bollshme me çmimet e artikujve, prandaj edhe kompania nuk e ka furnizuar QKUK-në asnjëherë me ato.

E këto nuk janë të vetmet mangësi që kanë përcjell spitalin gjatë fazës së auditimit për vitin që lamë pas. Anashkalimi i rregullave të prokurimit, mungesa e planit preliminar të prokurimit dhe njoftimit indikativ, ndarja e tenderëve, emërimi i anëtarëve nëpër komisione, mos respektimi i kritereve nga komisionet e vlerësimit e deri te eliminimi i operatorëve të përgjegjshëm, janë tregues të tjerë që sipas ZAP procesi i prokurimit deri në lidhjen e kontratave ishte përcjellë me mangësi të shumta.

Prandaj, me qëllim që të përmirësohet menaxhimi i proceseve të prokurimit dhe kontrolleve të brendshme, ajo ka rekomanduar Drejtorin e QKUK- së, Nijazi Gashin, që të sigurojë respektimin e plotë të rregullave të prokurimit, shmangien e ndarjes së tenderëve, si dhe transparencë të plotë në gjithë procesin e prokurimit.

Etiketa: