Qytetarët po paguajnë çmimin e “Qeverisë së korruptuar”


E premte, 13 Korrik 2018

Toronto – Robert Austin, profesor në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euro-aziatike, Universiteti i Torontos në një intervistë për Evropën e Lirë ka thënë se imazhi i Qeverisë së Kosovës, në perspektivën globale, nuk është pozitiv.

Ai në këtë intervistë ka thënë është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit.

” Mendoj se imazhi i Qeverisë së Kosovës, në perspektivën globale, nuk është pozitiv. Është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit. Por, kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, janë edhe vende të tjera të Ballkanit për të cilat mund të thuhet e njëjta gjë. Por, Kosova paguan çmimin më të lartë, në kuptimin që nuk ka ende liberalizim vizash”, tha ai.

Austin ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe synimin për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Profesori në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euro-aziatike, Universiteti i Torontos tha se është optimist për atë që pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë diçka në këtë drejtim. Sfida më e madhe është kah pala kosovare. Kush në Kosovë është i zoti të bëjë marrëveshje historike? Kosova ka bërë shumë kompromise në dekadën e fundit dhe, në muajt e ardhshëm, mund të ketë kompromise të reja dhe përfitime të tjera për serbët në veri të Kosovës”, tha ai.

“Nuk mendoj se dikush nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos Bashkimi Evropian, që po e ndërmjetëson dialogun, dhe Shtetet e Bashkuara që nuk po luajnë shumë rol, do që të shohë ndonjë zgjidhje territoriale të problemeve etnike. Por, qartazi, negociatat e dekadës së fundit mbi fatin e pakicës serbe në Kosovë u kanë dhënë përparësi atyre. Mund të them se njohja do të tregtohet me më shumë avantazhe për ta”, u shpreh më tutje Austin.

Profesori më tej ka folur edhe rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Etiketa: , , ,