Rama në Itali, fton bizneset që të investojnë në Shqipëri


E hënë, 3 Shkurt 2014

Kryeministri Edi Rama ka përfunduar vizitën e tij 2-ditore në Itali, ku ka theksuar se arsyeja e kësaj vizite ishte për të bindur biznesin lombardez që të investojë në Shqipëri.

Rrugëtim i kryeministrit Rama, ka nisur në rajonin e Puglias, ka vazhduar në Romë në takimin me Konfindustrinë bërë disa javë më parë. Në takimin me Grupin Boch kryeministri ka folur për Shqipërinë dhe për mundësitë që jep ajo për investitorët e mëdhenj italianë.

“Arsyeja, pse ne jemi këtu, është para së gjithash, se nevoja jonë për investime, është e lidhur sigurisht, nga njëra anë për të zhvilluar sektorët përkatës, por nga ana tjetër për të hapur vende të reja pune. Çdo investim që krijon vende të reja pune, për ne është prioritet. Për këtë synojmë sektorin e manifakturës, por sigurisht ka dhe industri të tjera që krijojnë vende të reja pune dhe ne jemi të gatshëm t’i mirëpresim. Duke u vënë në dispozicion vende të ndryshme, objekte që kanë nevojë për ristrukturim, por që janë ekzistuese, depo vjetra, baza ushtarake të vjetra. Struktura, të cilat investitorët italianë i kanë gjetur shumë të favorshme më parë, por duke hequr ato barriera, të cilat deri tani ua kanë bërë jetën të vështirë, siç ka qenë kostoja e qerasë. Kështu që, ne do ta heqim barrën e qerasë dhe do të vendosim qiranë prej 1 euro, pavarësisht sipërfaqes në metër katrorë që do të vihet në dispozicion të një ndërmarrje, për të ndërtuar infrastrukturën e saj. Vetëm një euro dhe jo në një muaj”.

Duke iu përgjigjur interesit të lartë të investitorëve italianë të organizuar në takim nga Grupi Boch, Kryeministri u shpreh se nga njëra anë është nevoja e kompanive italiane për t’u internacionalizuar, dhe nga ana tjetër Shqipëria është akoma një vend për t’u eksploruar, që ofron shumë lehtësira për kompanitë italiane

Afërsia gjeografike, kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe sistemi i taksave, por edhe mbështetja e fortë e qeverisë për çdo investim që krijon vende pune, ishin disa pika kyçe që Kryeministri Edi Rama ua prezantoi, si thelbësore investitorëve italianë për t’i tërhequr ata të vijnë drejt vendit tonë.

Një tjetër takim ka zhvilluar Kryeministri Edi Rama me shoqatën e Investitorëve Assolombardia. Kryeministri në këtë takim është përqendruar në mundësitë që ofron për investime Shqipëria në hidroenergjetikë, turizëm, infrastrukturë dhe bujqësi.

“Jemi të bindur se Shqipëria përbën një horizont të ri për botën e investitorëve italianë. Sepse sot për sipërmarrjet italiane, ajo që mungon këtu, gjendet atje. Mjafton të përmendim se tatimi mbi të ardhurat për sipërmarrjet është vetëm 15 %, puna e dorës ka një kosto shumë të ulët në krahasim me këtu.

Shqipëria është një vend shumë i pasur në burime ujore. Ajo është vendi i dytë, më i pasur në Europë, pas Norvegjisë. Pra, ka shumë burime ujore për t’u shfrytëzuar, duke përbërë kështu një potencial të lartë hidroenergjetik. Sigurisht që, dhe në këtë sektor ka shumë për të bërë. Ka gjithashtu shumë për të bërë në sektorin e agrikulturës. Kemi pasur tashmë kontaktet e para me ndërmarrjet bujqësore italiane që janë të interesuara të sjellin ose e kanë sjellë tashmë një pjesë të sipërmarrjes të tyre në Shqipëri. Sot të investosh në Shqipëri, nuk do të thotë të investosh vetëm aty, sepse në ditët e sotme ka një realitet të ri gjeopolitik pas vendosjes së marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka mbyllur epokën e konflikteve në rajon. Dhe e ka shndërruar rajonin në një platformë të re të zhvillimit ekonomik dhe të bashkëpunimit rajonal. Nga këndvështrimi i tregut, sot kemi një treg shumë më të madh se sa ç’gjendet brenda kufijve të Shqipërisë. Sepse nuk është vetëm Kosova, një shtet tjetër me shqiptarë, me të cilin ne kemi një bashkëpunim më të ngushtë gjithnjë e më shumë, por gjithashtu është edhe pjesa tjetër e rajonit”.

Në takimin me Grupin Boch kryeministri ka folur edhe për reformat e ndërmarra në pak muaj qeverisjeje. Reforma që kanë të bëjnë për afrimin e Shqipërisë me Evropën, dhe që konsistojnë në një luftë me krimin e organizuar dhe të gjithë krimin në përgjithësi, luftë kundër korrupsionit, reformat administrative që ndikojnë në thithjen e investimeve e huaja si dhe reformat strukturore të kërkuara për aderimin në Evropë.

Kryeministri ka zhvilluar një vizitë në Institutin Evropian të Onkologjisë. Kryeministri Rama, ka ndërmarrë iniciativën për të promovuar strategji në parandalimin e sëmundjeve tumorale, mbi të gjitha këtyre sëmundjeve te gratë dhe vajzat. Kjo vizitë dhe takimi me drejtuesit e këtij institucioni ishte për të vendosur pika bashkëpunimi me një nga qendrat e ekselencës ndërkombëtare.

Në këtë vizitë Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, si dhe deputetët Artan Gaci, Blendi Klosi e Taulant Balla.