Refet Bushati, orëtari i fundit në Prizren


E hënë, 16 Maj 2016
Refet Bushati

Refet Bushati

Prizren – Familja Bushati që nga viti 1888 ushtron zejen e orëtarit.


“Është fakt se tashmë kam mbetur orëtari i vetëm në Prizren, mirëpo ajo që dua të them për gazetën është fakti se unë tashmë kam më shumë klientelë nga jashtë Prizrenit. Tek ne i sjellin orët mekanike nga gjithë Kosova e bile edhe nga Shqipëria. Por, dua të them se më së shumti na sjellin orë për riparime nga Prishtina. Ne riparojnë orët mekanike dhe të tjera”, thotë Refeti.

Refet Bushati nga familja e njohur e Bushtlinjve tregon se këtë vit mbushen plot 230 vjet që janë vendosur në Prizren. Ndërsa në vitin 1888, Jahja Bushati ishte i pari që kishte hapur dyqanin e orë- tarit nga kjo familje, kurse Refeti është brezi i pestë që merret me këtë zanat. Prejardhja e Bushatlinjve lidhet ngushtë me emrin Bushat, një fshat i Shkodrës. Origjina e kësaj familjeje të vjetër feudale shqiptare është në fshatin Bushat të Shkodrës, dhe ajo ishte familje me nam qysh në shekullin XV, në periudhën para pushtimit osman,shkruan gazeta Kosova Sot.

Pema gjenealogjike e Bushatlinjve është mjaft e dendur dhe ka 5 degë kryesore, në dukje të pavarura nga njëra-tjetra. Në historinë tonë kombëtare, Bushatlinjtë e Shkodrës zënë një vend me rëndësi, për faktin se ato drejtuan për 75 vjet Pashallëkun e Shkodrës, që u dallua për tendencën për autonomi dhe shkëputje nga Turqia si dhe zhvillimin ekonomik e kulturor që pati. Sundimi i tyre i përket fazës së dytë të administrimit të Shkodrës nga Turqia, në vitet 1757- 1831, e që historiografia e quan periudha e sundimit të Pashallëkut të Shkodrës. Për Bushatlinjtë ka të dhëna të shumta gojore, të dhëna bibliografike dhe dokumentacion autentik si në gjuhën shqipe ashtu dhe në turqisht. Themeluesi i dinastisë së Bushatlinjve është Mehmet Pashë Plaku, me të cilin fillon një periudhë e mirë stabiliteti, me faljen e gjaqeve, bashkimin e Shkodrës me Malësinë e Madhe e Mirditën, zgjerimin e kufijve deri në Pejë dhe në Jug deri në Elbasan. Në këtë periudhë bie në sy politika e tij drejt shkëputjes nga Turqia.

auto_Bushati_18881463333058

E krijon pemën gjenealogjike të familjes

Ndryshe, një degë e kësaj familjeje kishte lëvizur nga Shkodra në drejtim të Prizrenit në fund të shekullin XVIII. Refet Bushati, duke folur për historikun e familjes, konfirmon për “Kosova Sot” se familja e tij këtë vit ka shënuar 230-vjetorin e vendosjes së tyre në Prizren. Me kalimin e kohës, kjo familje mësoi edhe zejen e orëtarit. Me këtë zeje i pari nga kjo familje filloi të merrej Jahja Bushati në vitin 1888. “Të parët shpjegonin se ishin ndalur në Prizren, ngase atëbotë kishte shumë ngjashmëri me Shkodrën. Ata kanë ardhur këtu dhe që nga ajo kohë kanë mbetur në Prizren. Prej familjes sonë Jahja Bushati, në pranverën e vitit 1888 kishte hapur dyqanin parë të orëtarit në Prizren”, ka thanë Refeti për “Kosova Sot”, duke shtuar se atëbotë thuhet se orët ishin të rralla dhe orë kishin vetëm të pasurit.

“Orë kishte vetëm një shtresë e familjeve të kamura, por megjithatë thuhet se nga ajo zeje jetohej mirë”, na thotë Refeti, duke shtuar se që nga viti 1888, familja e ka ruajtur këtë zeje deri në ditët e sotme. “Unë tashmë e ushtroj këtë zeje, si dhe kushëri im nga nëna, Talat Kazazi”, thotë Refeti, i cili ka krijuar edhe pemën e gjenealogjisë së familjes së tij. Ai rrëfen se pas Jahjasë, zanatin e orëtarit e vazhduan Qamil Bushati, pastaj i biri i tij Ismaili, dhe bijtë e tij, kurse ai tani është brezi i pestë. “Unë jam brezi i pestë i Bushatlinjëve, që e kultivojë këtë traditë. Me shpresë se këtë traditë do të vazhdojë edhe i gjashti e më shumë dhe kjo traditë do të mbetet traditë e orëtarëve”, shpjegon ai.

Me klientë nga gjithë Kosova, e bile edhe nga Shqipëria

“Është fakt se tashmë kam mbetur orëtari i vetëm në Prizren, mirëpo ajo që dua të them për gazetën është fakti se unë tashmë kam më shumë klientelë nga jashtë Prizreni. Tek ne i sjellin orët mekanike nga gjithë Kosova e bile edhe nga Shqipëria. Por, dua të them se më së shumti na sjellin orë për riparime nga Prishtina. Ne riparojnë orët mekanike dhe të tjera”, thotë Refeti. Ai rrëfen se në Prizren ekzistojnë jo vetëm gojëdhëna, por edhe fakte historike për njerëzit e pasur të këtij qyteti, siç ishte bankieri Haxhi Luba. “Tani ende ekziston thënia “Veç me i pasë paret e Haxhi Lubës”, rrëfen Refeti. Ndryshe, në dyqanin e orë- tarit Refet Bushati gjendet edhe një orman, që ende duket shumë i ri dhe shkruan “ZVVICKY URANIA’ që ishte nga Zvicra. Ky dollap me shumë ndarje thuhet se ishte i Haxhi Lubës, ku ka vende të veçanta ku liheshin lirat dhe florinjtë e tjerë. Duke folur për zejen e orëtarit, Refeti shpjegon se në fillimet e saj kjo ishte një zeje e rrallë, ngase qytetarët kishin parë orë muri apo xhepi dhe më pak orë dore, kurse me kalimin e kohës ka ardhur duke u bërë një zeje e zakonshme.

Në “Shatërvan” aty ku nisën së pari zejen e ndreqjes së orëve

Ai rrëfen se Jahja Bushati e kishte hapur dyqanin e orëtarit të parë në “Shadrëvan”, dhe pastaj me kohë ishin bartur në lagjen e “Saraçhanes”, kurse prapë është kthyer para 40 vitesh. “Jemi orëtarë të vjetër, andaj këtu rregullojmë orët mekanike, orët elektrike dhe orët e të gjitha llojeve. Tani disa nga familjet e vjetra ende ruajnë si kujtime orët e familjarëve, orët e qostekut, ku edhe i riparojmë. Me këtë zeje në rrethana të këtilla jetohet në formë solide, por kërkon përkushtim të madh, ngase tash orë mund të blihet edhe aty ku shiten mollët dhe aty ku shiten gazetat. Kjo edhe na ka reduktuar punën dukshëm. Por, riparimet e orëve të vjetra që ruhen si kujtim janë në trend, pastaj riparimi i orëve të shtrenjta na ka bërë që ne ende të mbijetojmë”, rrëfen Refeti, duke shtuar se nga viti 1970 deri në vitin 1999 për orëtarët ka qenë koha e artë, ngase ka pasur shumë punë si në riparime orësh, edhe me shitje orësh.

Ai rrëfen se Prizreni ka pasur dikur rreth 10 orëtarë. “Por, ne jemi të parët dhe sipas të gjitha gjasave do të jemi të fundit”, rrëfen Refeti. Sipas tij, orëtarit i duhen tri gjëra t’i ketë patjetër: sytë e mbrehtë si shqiponjë, mendjen e kthjellët dhe durimin e pafund. “Ajo që më bën krenar jo vetëm mua, por gjithë fisin Bushat, është fakti se ne këtë zeje mendojmë ta vazhdojnë dhe ta ruajmë si visar tonin”, na thotë Refeti./KosovaSot/