Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Reforma në drejtësi dhe çështja çame

Prizren Post | 03:20 - 12.06.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Ardit BIDO

Ardit BIDO

Nikos Kotzias është diplomati i parë grek i cili pranoi të përfshijë çështjen çame në axhendën e bisedimeve shqiptarogreke, pas 25 vjetësh heshtjeje. Qëndrimi korrekt dhe dinjitoz i palës shqiptare dha frutet e para, duke vërtetuar aksiomën e marrëdhënieve ndërkombëtare se kur sillesh si i barabartë të trajtojnë si të barabartë. Heqja e kompleksit të inferioritetit nga diplomacia shqiptare dhe kthimi i syve nga Gjermania dhe Franca, si vendet e vetme që mund të shtyjnë para axhendën evropiane të Shqipërisë është ndryshimi cilësor i politikës sonë të jashtme.

Mirëpo, sipas shprehjes djalli gjendet në detaje, në rastin e marrëdhënieve shqiptarogreke, Kali i Trojës fshihet aty. Palët ranë dakord për një zgjidhje tërësore të çështjeve dypalëshe nëpërmjet traktatit të ri që pritet të finalizohet vitin që vjen. Barazpeshat mes dy vendeve lidhen ngushtësisht me levën e vetme që ka sot Greqia ndaj Shqipërisë: çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Prandaj, reforma në drejtësi sot është barometri i avancimit ose bllokimit të çështjes çame. Miratimi i reformës në drejtësi përpara vjeshtës do të sillte dritën jeshile të BE-së ne mbledhjen e dhjetorit të Këshillit Evropian, duke mundësuar që problematikat shqiptaro-greke të mbeteshin thjesht dhe vetëm bilaterale, me një traktat të dakordësuar në kushte të barabartësh. Shtyrja ose mosmiratimi i reformës në drejtësi do të vendoste politikën shqiptare me shpatulla pas muri: do të shkaktonte humbjen e besimit të aleatëve strategjik të vendit dhe do t’i mundësonte Greqisë që të ridilte në skenë si nxitësja kryesore e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Këtë rol që tashmë e ka humbur, diplomacia greke di si ta luaj më së miri. Anëtarësimin në NATO e kushtëzoi me një sërë marrëveshjesh lëshimi poshtëruese për Shqipërinë, nga marrëveshja e detit te ajo e varrezave. Rrjedhimisht, e vetmja gjë që Greqia po kërkon është të rigjejë çastin për të pasur rolin e kalit të karrocës së rrugës së Shqipërisë për në BE, që njëhërazi është Kali i Trojës në raportet dypalëshe.

Nëse ky skenar i diplomacisë greke realizohet, ai përbën varrimin e çështjes çame, të çështjes së detit dhe të gjitha çështjeve dypalëshe, teksa trysnia greke do të prodhojë marrëveshje të padenja për interesin tonë kombëtar, që do të kenë vulën e parlamentit tonë dhe që do të përdoren si mbyllje zyrtare e këtyre çështjeve për dhjetravjeçarë.

Këtë pozitë që Greqia ka pak vite që ka humbur mund t’ia japin vetëm 140 burra dhe gra, që janë zgjedhur për të përfaqësuar interesin tonë kombëtar, por që shpesh herë harrojnë misionin e tyre në shërbim të interesit të ditës.
Sot, marrëdhëniet shqiptarogreke i përngjajne viteve ’30, kur Shqipëria ia kishte dalë të shpëtonte nga trysnia greke falë një aleati më të fortë. Asokohe, po si sot, u ra dakord për zgjidhjen e të gjitha çështjeve dypalëshe, çka përfundoi me hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, me njohjen pa kushte të autoqefalisë së Kishës Ortodokse, me kompensimin e pronave të korçarëve, beratasve e gjirokastritëve në Greqi, etj.

Asokohe, në ndryshim nga sot, detyrat e shtëpisë ndaj aleatëve Shqipëria i kryente me kujdes, për të mos humbur shumë më shumë sesa një mbështetje, për të mos humbur pozicionin si i barabartë mes të barabartëve me fqinjët.
Sot, është koha që politika t’i thërrasë arsyes dhe te kuptojë se rëndësia e reformës në drejtësi lidhet pazgjidhshmërisht me çështjet kombëtare. Miratimi i saj ëahtë avancimi i çështjes çame dhe mosmiratimi i saj do të sjellë zvarritjen e çështjeve në axhendën me Greqinë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
*Autori është doktor shkencash në marrëdhënie ndërkombëtare, me fushë ekspertize trinomin fe-politikë-diplomaci dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke.


Bëni një koment

Arivisti Company