E shtunë, 9 Gusht 2014
Edhe këtë verë Hamami i Prishtinës nuk do të mund të vizitohet apo të shihet nga qytetarët e shumtë, të cilët gjatë këtyre ditëve të nxehta ia mësyjnë kryeqyteti për ta njohur më mirë dhe për të vizituar monumentet dhe vendet e trashëgimisë kulturore. Hamami i Prishtinës në shumë guida dhe doracakë, ku prezantohet trashëgimia kulturore, zë një vend qendror. Por, ka shumë vite që ky objekt po humbet rastin për t’u parë nga shumë turistë. Edhe pse renovimi i tij ka arritur në fazën e fundit, përfundimi i punimeve ende nuk dihet se kur do të marrë fund. Një gjë e tillë pritet të zgjasë edhe për një kohë të gjatë, pasi institucionet përgjegjëse ende nuk kanë një qëndrim se deri kur do të rrumbullakohet gjithë renovimi i këtij objekti dhe mundësia që ai të vizitohet nga turistët.
Renovimi i Hamamit të Prishtinës kishte nisur në 2007 dhe ka kaluar në një histori akuzash dhe kundër-akuzash mes institucioneve dhe ekspertëve të ndryshëm të trashëgimisë, të cilët jo rrallë kishin akuzuar strukturat e atëhershme drejtuese të Komunës së Prishtinës si donatorë kryesorë për renovimin e këtij objekti. Ndërsa, disa herë është thënë nga zyrtarë komunalë se pas përfundimit të renovimit ky objekt do të shndërrohet në muze të kryeqytetit, konkretisht në muze të neolitit. Për MKRS-në gjithë përgjegjësia, sa i përket renovimit dhe destinimit të Hamanit të Prishtinës, bie mbi Komunën e Prishtinës. Shkëlzen Dragaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, në një prononcim për “Kosova Sot”, është shprehur se, sa i përket renovimint, MKRS-ja vetëm mund të ofrojë asistencën e saj, në rast se kërkohet, dhe shqetësimet eventuale mund t’i ngritë përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin që mbikëqyrë renovimin. “Ky është projekt i Komunës së Prishtinës dhe ajo mbetet përgjegjëse për këtë objekt. Ajo që është e rëndësishme është që projekti të mos dëmtohet”, ka thënë Dragaj. Ndërsa, gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë komunalë të Prishtinës, gjatë ditës së mërkurë, sa i përket përfundimit të renovimit të Hamamit.
Renovimi i këtij objekti është përcjellë me akuza të shumta nga ekspertë të trashëgimisë kulturore. Vërejtjet lidhur me punimet në rinovim ishin dhënë edhe nga ekspertë të shumtë të trashëgimisë, madje edhe nga zyrtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Në një raport të tyre kishin evidencuar vërejtje të shumta në punimet për rinovim, duke filluar nga kupola, instalimet elektrike, suvatimi, e shumë probleme të tjera, që ishin evidentuar nga ekspertët. Renovimi i deritashëm i këtij objekti llogaritet të ketë kaluar mbi 700 mijë euro. I ndërtuar më shumë se 550 vjet më parë, Hamami i Prishtinës është një ndër monumentet më atraktive dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Deri në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar ishte i shfrytëzuar nga banorët e kryeqytetit. Rinovimi kishte nisur në 2007, si nevojë dhe për ta shpëtuar nga rrënimi i tij.