E enjte, 18 Qershor 2015
Marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës e Turqisë pritet të intensifikohen në të ardhmen, me forma të reja, më të avancuara të bashkëpunimit reciprok mes bizneseve të të dyja shteteve thotë ministri i Kosovës Mahir Jagxhëllar.
Në një reportazh me ministrin e Administratës Publike të qeverisë së Republikës së Kosovës Mahir Jagxhëllar (Mahir Yağcılar) ai tha se pavarësisht se nuk është ministër i dikasterit ekonomik, ministria që ai e drejton ka ndërlidhje indirekte me ekonomi.
MJ: “Ndoshta nuk jam direkt i lidhur me çështjet ekonomike mirëpo edhe Administrata Publike në aspektin indirekt ka ndikim në ekonomi. Kurse nga ana tjetër unë jam edhe kryetar I Partisë Demokratike TURKE, që në një mënyrë edhe kam mision që edhe komunitetin turk ta zhvillojë në aspektin ekonomik, por me këtë rast edhe marrëdhëniet mes Republikës së Turqisë e Republikës së Kosovës kanë një rëndësi të veçantë, sidomos edhe nga aspekti ekonomik.”
Ministri konsideron se ende ka mjaft hapësirë të shtimit të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Turqisë.
MJ: “Unë mendoj se mes Turqisë e Kosovës janë bërë përparime, por ende ekziston hapësirë të bëhen më shumë, të bëhen investime sidomos në kapacitete prodhuese. Kështu që e shfrytëzoj rastin që t’i ftojë të gjithë biznesmenët nga Turqia të vinë në Kosovë, të bëjnë investime por njëkohësisht të krijojnë marrëdhënie të reja ekonomike./Kjo do të jetë në dobi të Kosovës, do të krijohen vende të reja të punës, por në anën tjetër edhe Turqia do të ketë rastin që nga Kosova prodhimet ti eksportojë në shtetet europiane por edhe në rajon e Maqedoni.”
Marrëdhëniet e deritashme ekonomike mes Kosovës e Turqisë janë karakterizuar kryesisht në ato marrëdhënie klasike, siç është tregtia. Janë bërë edhe disa privatizime, përkatësisht koncesionime të mëdha, janë hapur banka, si dhe është ndërtuar autostrada e parë në vend. Po pse nuk janë bërë investime më të shumta edhe në prodhim?
MJ: “Ndoshta edhe Kosova nuk ka krijuar kushte, hapësirë të nevojshme për tu promovuar, nga ana tjetër edhe tek biznesmenët turq ekziston një paragjykim se është treg I vogël edhe nuk ka interesim të madh sa I përket prodhimit. Në këtë aspekt në periudhën e ardhshme sidomos pas hyrjes në fuqi edhe të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, kjo çështje mund të zhvillohet edhe më tej. Sepse mundësitë e ngritjes së kapaciteteve prodhuese do të ndihmojnë jo vetëm Kosovën por edhe biznesmen nga shteti turk, sepse krijohet një afërsi edhe nga aspekti gjeografik edhe mund të shfrytëzohen edhe ato lehtësira për eksportimin e mallrave nëpër shtete të tjera.”
Po si i vlerëson ministri Jagxhëllar, investimet turke deri tash, posaçërisht në aeroport dhe në distribucion, për të cilat ka pasur mendime e kritika të ndryshme qoftë pozitive apo edhe negative?
MJ: “Ekzistojnë gjithmonë mendime të ndryshme por unë mendoj se të dyja investimet janë të suksesshme dhe shembullore, sepse sidomos investimet në aeroport shihen çdo ditë. Unë besoj se me kalimin e kohës dhe realizimin e investimeve edhe në kapacitetet ELEKTRIKE do të shihet se edhe investimet në Keds kanë qenë të qëllueshme. Sepse teknologjia dhe zhvillimet në botën moderne krijojnë nevojën e investimeve shtesë. Në këtë aspekt mendoj se të dyja kompanitë kanë kapacitete dhe me përkrahjen e shtetit të Turqisë të bëjnë edhe më shumë investime me një prodhim më efikas e shërbime më cilësore ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Besoj që prapë edhe në fushat e tjera do të vazhdohet me investime dhe ritheksoj se këto investime në aeroport, në Keds e në sistemin bankar krijojnë kushte që në promovimin e investimeve dhe në bashkëpunimin e ndërsjellë të krijohen edhe investimet prodhuese.”
Çfarë kushtesh kërkojnë investitorët potencialë që të plotësohen?
MJ: “Tash analizat më të sakta në këtë aspekt i jep Ministria e Tregtisë e Industrisë si dhe ekspertët. Por sipas mendimit tim janë ofrimi i kushteve sa i përket trojeve për ndërtimin e kapaciteteve, vende të lira për tregti ose biznese, përkatësisht Parqe të Biznesit, por edhe lehtësime në aspektin e kryerjes së procedurave administrative, jo vetëm regjistrimit të biznesit, por edhe për marrjen e lejeve sa I përket ndërtimit, prodhimit dhe pastaj eksportit apo importit të mallrave. Këto janë gjëra që bëhen edhe në shtete tjera, duhet të shfrytëzohemi me ato përvoja të mira për të kryer investime apo për të sjellë investitorë nga shtetet e tjera.”
Ministri potencoi Zonat e Lira Doganore, ndërkohë që gjatë një vizite në Zonën Industriale në Ostim të Ankarasë, zyrtarët turq atëherë ishin të gatshëm të ndihmojnë në ndërtimin e zonave të tilla. E pyetëm ministrin pse nuk po realizohen ato, A është se zyrtarët Turq po harrojnë për vullnetin e mirë të shprehur nga ana e tyre, apo faji është këtu në Kosovë?
MJ: “Ndoshta në këtë aspekt duhet të punojmë më shumë, edhe ky ka qenë qëllimi. Si ministër i Administratës Publike me këto reformat e Administratës dëshirojmë të krijojmë kapacitete brenda Administratës Publike kur mund të marrim vendime në përputhje me ligjet në fuqi dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por të jenë këto vendime në aspektin kohor sa më të shpejt, sa më cilësorë, që të krijojnë një besim tek investitorët. Por nga ana tjetër duhen bërë planifikime sa më të hershme sa i përket hapësirave për doganë, për parqe të biznesit e mundësi tjera. Së treti, tash Komunat kanë mundësi të japin pronat komunale për shfrytëzim në afatgjatë, por këto çështje duhet të përshpejtohen, të jenë procedura pak më të lehta edhe të bëhet promovimi I investimeve, edhe të kemi projekte të qarta se çfarë dëshirojmë. Por krahas asaj ne duhet të krijojmë edhe kapacitete njerëzore për të realizuar investimet. Sepse hapja e një fabrike kërkon edhe kapacitete njerëzore, përkatësisht kuadro të kualifikuara.”
Për marrëveshjen për Tregti të Lirë mes Turqisë e Kosovës (MTL) të cilën e përmendi ministri më herët, në Kosovë tanimë ka mendime të ndryshme për dhe kundër. Cili është mendimi I ministrit, a duhet të ratifikohet apo jo kjo marrëveshje?
MJ: “Unë sa kam informata është një marrëveshje asimetrike e cila ofron mundësitë lehtësuese për ne, për Republikën e Kosovës. Por nga ana tjetër unë dëshiroj të ritheksoj se Kosovës i nevojiten ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese të cilat do të krijojnë edhe vende të reja pune. Të mos jemi një shoqëri vetëm shpenzuese, por të jemi edhe prodhuese. Nga kjo pikëpamje, atëherë MTL do të krijojë mundësi që investitorët të vinë më shumë, krijohet që edhe afaristë nga Kosova të investojnë edhe në Turqi, sepse krijohet një bashkëpunim i ndërsjellë./Kështu që nëse aspektin e gjatë kohor, do të jetë në dobi të Kosovës. Nga ana tjetër këto mallrat e Turqisë prapë janë këtu kështu që ai mall që vije nga Turqia do të kushtojë më lirë, nga ana tjetër do të arrihet që njerëzit të besojnë në investime, të investojnë në kapacitete prodhuese e të hapin vende të reja pune.”
Ado të thotë kjo se ministri Jagxhëllar, beson se me Marrëveshje krijohet mundësia që prodhuesit kosovarë të depërtojnë në tregun 80 milionësh?
MJ: “Po, por krijon edhe mundësinë që si shoqëri kosovare të mendojmë që një shtet do të jetë stabil në aspektin ekonomik kur ekzistojnë kapacitetet prodhuese. Sepse nëse vazhdohet me formën aktuale, për një kohë të gjatë do të jetë vështirë të bëhet rritje ekonomike në Kosovë pa kapacitete prodhuese.”
Nga kontaktet me disa prodhues, është vërejtur një mosbesim se produktet e tyre mund t’i plasojnë në Turqi, duke u shprehur se ata në Turqi janë shumë të fortë. Po sipas ministrit, a munden prodhuesit vendor kosovarë t’i shesin produkte e tyre në Turqi?
MJ: “Turqia është një shtet I madh edhe treg i madh, edhe ekzistojnë gjithmonë mundësi për prodhime të llojllojshme. Nga aspekti I klasifikimit të prodhimeve, pse të paragjykojmë, pse të kemi dyshime, sepse edhe ne mund të prodhojmë produkte kualitative. Janë standardet ndërkombëtare për çdo lloj prodhimi, siç janë Iso standard me të cilat hiqet dyshimi.”
Pra, ministri Jagxhillar beson se edhe produktet Made In Kosova nëse i plotësojnë standardet e njohura ndërkombëtare, mund të depërtojnë pa problem në tregun TURK. Në këtë drejtim, jo vetëm në raport me Turqinë, por edhe me të gjithë shtetet europiane e botërore, ministri Jagxhëllar thotë se janë duke punuar në reformat ekonomike. Ai thotë se si ministër i Administratës Publike, janë duke punuar që shërbimet administrative, ose ofrimi i shërbimeve nga zyrtarët e Administratës Publike, të jenë më profesionale, më cilësore dhe në aspektin kohorë më të shpejta.