Rexhepi: Komuna e Kllokotit po injoron shqiptarët


E enjte, 29 Maj 2014

Kllokot – Xhelal Rexhepi, këshilltar komunal në Kllokot thotë se kryetari aktual serb Sreqko Spasiq nuk i respekton ligjet e Kosovës sepse ende komuna është pa stemën dhe flamurin e Kosovës, mungon fotografia e presidentes, derisa fshatrat shqiptare janë të anashkaluara nga investimet.

Xhelal Rexhepi, këshilltar komunal në Kllokot, ndihet i revoltuar me sjelljet e kryetarit të Komunës së Kllokotit, i cili sipas tij, këtë komunë e ka shndërruar në një institucion që po ndikohet çdo ditë nga strukturat paralele serbe.

Rexhepi thotë se Komuna e Kllokotit ende s`ka stemën , s`ka flamurin e as foton e presidentes së Republikës.

“Kryetari serb nuk e respekton komunitetin shqiptar derisa i ka anashkaluar tërësisht investimet në fshatrat shqiptare. Kryetari është i ndikuar nga strukturat paralele serbe. Kllokoti është bërë ‘shah’ në vete dhe po punohet në dëm të shqiptarëve”, thotë ai.

Rexhepi thotë se nënkryetari i Komunës i cili është serb jeton në Paraqin, derisa merr pagë nga buxheti i Kosovës.

“Të gjitha këto vërejtje dhe lëshime i kam bërë publike edhe në Asamble, por kryetari Spasiq nuk po i përfillë këto kritika”, tha Rexhepi. /rajonipress/

Etiketa: ,