Rindërtimi i xhamisë në Kalanë e Prizrenit


E enjte, 9 Tetor 2014

7 copy

Prizren – Sot Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit e vizitoi Komisioni Qendror për Monumentet e Trashigimisë Kulturore Historike të Kosovës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë për Rini, Kulturë dhe Sport e Republikës së Kosovës. Komisioni përbëhej nga Vjollca Aliu (drejtor i Komisionit), Shafi Gashi, Osman Gojani, Enver Rexha dhe Agim Gërguri (anëtarë të Komisionit), si dhe Samir Hoxha – drejtor i Institutit për mbrobjtjen e Monumenteve Historike në Prizren.

6

Komisioni u takua me zyrtarët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit: Lutfi ef. Ballëk (kryetar), Orhan ef. Bislimaj (Sekretar) dhe Faruk ef. Ukallo (arkëtar), në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit. Vlen të theksohet se Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit tash e disa herë i drejtohet me shkresë organeve kompetente për rindërtimin e xhamisë në Kala. Në fillim të vitit 2010, me një shkresë i është drejtuar edhe Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës. Së fundi, Këshilli i BI-së Prizren, më datë 29.09.2014, i drejtohet Ministrisë së Kulturës për rindërtimin e Kalasë. Komisioni me rastin e shqyrtimit të kësaj kërkese e ka pa të arsyeshme që të mbajë këtë takim, i cili ishte me rëndësi të veçantë, pasiqë, po thuajse për herë të parë, kjo çështje po diskutohet pak më seriozisht.

Takimi ishte mjaft konstruktiv. Komisioni i Ministrisë e njoftoi Këshillin e BI-së në Prizren, se këtë kërkesë të KBI-së Prizren e kanë në konsideratë, dhe se janë duke e shqyrtuar në mënyrë institucionale. Për momentin, punimet janë në fazën e hulumtimeve arkeologjike në Kala, të cilat pritet të vazhdojnë edhe disa muaj dhe sapo të përfundojnë këto hulumtime brenda Kalasë, atëherë kjo çështje do të vendoset.

Nga ana e tij, Këshilli i BI-së Prizren, e falënderoi Komisionin e Ministrisë, për shqyrtimin e kërkesës, duke thënë se kërkesa jonë përveç se është kërkesë institucionale, ajo është edhe e besimtarëve islamë të komunës së Prizrenit, në mënyrë që Kalasë t’i kthehet pamja e origjinalitetit, ndërsa xhamisë t’i kthehet padrejtësia që i është bërë nga ish-pushtuesi serb.

xhamia_2

xhamia_3

Rindërtimi i xhamisë në Kala, është edhe i domosdoshëm, për faktin se kjo xhami është ndër monumentet e para të periudhës osmane, domethënë që në shekullin e XVI, dhe kthimi i saj do të ishte një plotësim dhe kompletim i mozaikut të Kalasë dhe Prizrenit. Kalaja, pa minaren e xhamisë, mbetet e gjymtuar dhe kjo duket shumë qartë nëse bëjmë një krahasim të fotove nga koha kur ka ekzistuar minareja dhe nga kjo kohë. Është momenti që Kalanë e Prizrenit, të mos e lëmë të gjymtuar, por të kompletuar, e që do të ishte një atraksion i veçantë për vizitorët.

Në takim, i cili zgjati mbi një orë, u thanë edhe shumë gjëra të tjera, dhe përfundoi me idenë e përbashkët, se përgatitja e Kalasë në mënyrën më të mirë, është preukopim i të gjithëve pa dallim.

xhamia_1