Rooney rrëfen “ftohjen” me Fergusonin


E enjte, 10 Tetor 2013

Mançester, 10 tetor- Sulmuesi i Manchester United ka zbuluar arsyet se përse ai kishte ftohur marrëdhëniet me trajnerin legjendar Sir Alex Ferguson sezonin e kaluar, duke theksuar se skocezi e kishte detyruar të luante në pozitën e mesfushorit pa dëshirën e tij.

Reprezentuesi i Anglisë, i cili këtë sezon është në formë të mirë, duke shënuar pesë gola në tetë ndeshje, ka thënë se muajt e kaluar ai ishte “ i lumtur” dhe “i kënaqur” por ishte i irrituar që nuk luante përkrah Robin van Persiet në fazën e sulmit.

“Të gjithë në klub e dinin se ku dëshiroja të luaja dhe mendoj se kjo është arsyeja se përse isha i zhgënjyer”, ka thënë ai. “Më detyruan të luaj në mesfushë dhe këtë nuk e doja unë. Unë vetëm mendoja se do të vinte koha që të bëhesha egoist për karrierën time”, ka shtuar ai.

“Mendoj se edhe në pozitën e mesfushorit luaja mirë, por kjo nuk ishte ajo që dëshiroja. Nuk kam pasur problem që të luaja jashtë pozitës time, por e ndjeja se unë meritoja të luaja në pozitën time dhe kjo nuk po ndodhte”, ka theksuar Rooney.

“Isha i zhgënjyer për këtë dhe kjo ndikoi në disa ndeshje që luajta. E di që sezoni i kaluar nuk ishte më i miri por vijnë kohët kur ju duhet të luani në pozita të ndryshme”.

Wayne Rooney gjatë kësaj vere ishte i lidhur me një largim nga Old Trafford dhe kërkohej nga Chelsea dhe Arsenali, por anglezi ka thënë se gjatë verës ai ishte i lumtur.

“Të jem i sinqertë, kam qenë i kënaqur gjatë gjithë verës”, ka shtuar ai. “Isha i lumtur. Ndoshta nga sytë e tjerëve kjo nuk dukej, por unë isha i lumtur”, ka theksuar ish-lojtari i Evertonit.

Etiketa: ,