Rritet në 21 persona numri i viktimave nga tërmeti në Itali


E mërkurë, 24 Gusht 2016

ita

Të paktën 21 persona kanë vdekur pas tërmetit prej 6.2 ballë sipas shkallës Rihter, i cili në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës goditi Italinë qendrore, njoftojnë mediat italiane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia italiane e lajmeve ANSA tha se gjashtë persona humbën jetën në fshatin Acomulli në krahinën e Lacios, pranë epiqendrës së tërmetit. Pesë të vdekur janë regjistruar në të njëjtën krahinë në Amatrice, ndërsa dhjetë persona humbën jetën në qytezën Pescara del Tronto në rajonin Marche.

Tërmeti ndodhi në ora 03:36 të mëngjesit sipas kohës lokale, dhe u pasua nga disa dridhje të vogla. Zyrtarët kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet për shkak se shumë njerëz janë të ngujuar nën rrënoja.

Më herët, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve njoftoi se është regjistruar tërmet prej 6.2 ballë sipas shkallës Rihter në një thellësi prej vetëm dhjetë kilometra në juglindje të Norcia, një qytet dhe komunë në provincën e Perugias në Italinë qendrore.

Rajoni qendror i gadishullit të Apenineve gjatë historisë ka përjetuar disa tërmete serioze. Në një tërmet të ngjashëm prej 6.3 ballë, i cili pat ndodhur në vitin 2009 në afërsi të qytetit L’Aquila, la të vdekur të paktën 295 persona, mbi një mijë u plagosën ndërsa 55.000 njerëz mbetën të pastrehë.