Rusia nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës


E premte, 2 Gusht 2013

Moskë, 2 gusht – Andrej Maslow, drejtor për çështje evropiane në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, në një intervistë për gazetën “Zëri i Rusisë”, e cila botohet edhe në internet, duke komentuar zhvillimet në Ballkan ka deklaruar se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe se nuk e ka ndërmend ta njoh tani për tani pavarësinë e këtij vendi.

“Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe vazhdon të mbështetet në parimet themelore të së Drejtës Ndërkombëtare. Ky qëndrim, sipas tij, është nënvizuar edhe në deklaratën e bashkëpunimit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, të nënshkruar me 24 maj të këtij viti, ka thënë ai.

Dokumenti bazë mbi të cilin mbështetet qëndrimi i Rusisë për Kosovën, është Rezoluta e KS të OKB-së nr. 1244. Maslow, tutje ka deklaruar se Rusia mendon se Serbia duhet të merret vetë me rregullimin e çështjeve që lidhen me interesin e saj nacional. Ai ka thënë se kjo është duke ndodhur tashmë në bisedimet që po zhvillohen me përfaqësuesit e Kosovës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Ai ka deklaruar se për Rusinë “është i pranueshëm çdo vendim dhe zgjidhje për të cilën merren vesh palët në këto bisedime.”

Ndryshe në intervistën e përmendur, zyrtari i lartë rus ka thënë se Rusia po vazhdon të koordinojë qëndrimet e saj lidhur me zhvillimet në Ballkan me homologët e vet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Zhvillojmë konsultime të rregullta me kolegët nga vendet perëndimore lidhur me tematikën ballkanike” ka theksuar Maslow.

Etiketa: ,