E shtunë, 26 Mars 2016
Liberalizmi i vizave dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), janë dy procese teknikisht të ndara, mirëpo praktikisht të ndërvarura njëra me tjetrën, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian e nënshkruar në tetor të vitit të kaluar do të hyjë në fuqi më 1 prill të këtij viti.
Derisa, sa i përket procesit të liberalizmit të vizave, Kosova ende është duke kaluar në disa faza të përmbushjes së kritereve të nevojshme.
Përmbushja e këtyre kritereve po vlerësohet nga një ekip i ekspertëve të Bashkimit Evropian, i cili më pas do të bëjë një rekomandim nëse Kosovës duhet hequr vizat ose jo.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson lartë hyrjen në fuqi të MSA-së, por sipas tij, kjo marrëveshje nuk mund të ketë zbatim të mirëfilltë dhe benefite nëse nuk ka liberalizim të vizave.
“Si mund të ketë zbatim të kësaj marrëveshjeje nëse komunitetit i biznesit vendor do të pres me muaj dhe në procedura burokratike për marrjen e vizave. Do të thotë, ajo që është garancë e suksesit të zbatimit të një marrëveshje siç është MSA-ja, është fleksibiliteti në lëvizje dhe kjo është kushti i parë që bizneseve në Kosovë iu mungon”, thekson Gërxhaliu.
Liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, konsideron se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe liberalizmi i vizave, nuk shkojnë njëra pa tjetrën.
“Nuk mundet që Kosova të ketë tregti të lirë me bashkimin Evropian qarkullimin e lire të marrave dhe shërbimeve nëse ne ende kufizohemi me nga regjimi i vizave. Shumica e vendeve të Ballkanit fillimisht e kanë përfunduar MSA-në, dhe ky është hapi i parafundit drejt liberalizmit të vizave, dhe kjo besoj se do të ndodh edhe në rastin e Kosovës”, thekson Gashi.
Kosova, aktualisht, radhitet e fundit në këtë proces, krahasuar me vendet e tjera që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, andaj edhe konsiderohet si vendi më i izoluar në Evropë.
Bashkimi Evropian ka hequr vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës u janë hequr vizat një vit më pas, në dhjetor të vitit 2010./REL/
Etiketa: Bashkimi Europian, Kosova, Liberalizimi, msa