E premte, 13 Shtator 2013
Kandidati dhe nënkryetari i Partisë së Fortë, Sali Berisha nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 nëntorit me arsyetim të KQZ-së “se ai nuk ka dokumentacion të rregullt si banor i Prishtinës”, një arsye e cila nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë kandidatët, ka vlerësuar Partia e Fortë.
“E konsiderojmë këtë vendim të KQZ-së jo të drejtë dhe diskriminues, pasi ai nuk zbatohet në mënyrë të drejtë për të gjithë kandidatët. Kandidati i PDK-së Agim Çeku është banorë i Fushë Kosovës dhe është lejuar që të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë Petrit Reçica, zyrtari për komunikim me KQZ nga PF në bisedë telefonike me zyrtarët e KQZ-së.
“Shihet qartë se partitë tjera kosovare janë duke bërë presione të ndryshme për të dëmtuar Partinë e Fortë pasi e dinë se në një betejë të drejtë PF do të jetë fituese apsolute e zgjedhjeve për Prishtinën”, ka shtuar ai.
“Kandidimin e z. Agim Çeku, që deri tani ishte banor i Fushë Kosovës e kemi parë si diçka pozitive duke pasur parasysh qëndrimet tona për bashkim kombëtar të Prishtinës me këtë komunë,” shton Reçica. “Megjithatë kemi pritur që edhe KQZ të ketë mirëkuptim dhe ta certifikojë edhe z. Sali Berisha nga Partia jonë, nga respekti për punën që ai ka bërë për vendin tonë deri sot. Ne megjithatë jemi njerëz të kuptueshëm. Edhe pse ligjin sado që e shohim si një udhëzues më shumë se sa obligim, këtë herë do ta respektojmë sepse kështu na ka këshilluar Kryetari,” është shprehur ai më pas.
Ekonomisti i ri me banim në Prishtinë, Sali Berisha, mbetet një nënkryetar i çmuar brenda strukturave të Partisë i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e tij për të shtyrë përpara proceset përparimtare në Kosovë dhe kryeqytet, thuhet në komunikatë.
Partia e Fortë ka dorëzuar listat për certifikim në KQZ brenda afateve të lejuara dhe pritet të certifikohet së bashku me subjektet tjera që kandidojnë në zgjedhjet lokale 2013. Pas tërheqjes së përkohshme nga zgjedhjet për shkak të parregullsive me stemën e Kosovës në fletëvotime, PF është deklaruar se megjithatë do të falë këtë herë KQZ-në dhe kështu do të vazhdojë të mbetet në garë për të parin e Prishtinës dhe për asamble komunale.
“Partia e Fortë është parti politike e regjistruar në Kosovë që grumbullon bashkëmendimtarë të cilët kanë për qëllim fitimin e pushtetit në Kosovë. Sikur të gjitha partitë tjera Partia e Fortë ka për qëllim ardhjen në pushtet për kontrollin e parasë publike në interes të bashkëmendimtarëve dhe përkrahësve të vet”, thuhet në komunikatë.