E hënë, 7 Tetor 2013
Ai nuk ka luajtur në asnjë film të legjendave, nuk ka marr pjesë në asnjë betejë legjendare të Samurajëve. Por, ai si një Samuraj, ka vendosur t’i futet garës për kryeshehrin e Kosovës. Shikimi i tij, tregon se ai thellohet shumë në mendime, e qet imagjinatën në ler dhe e mendon më të mirën për Prishtinën. Po e ngatërroj fillin e tregimit, njeriu për të cilin po flasim është kryetari legjendar, kryetari i Partisë së Fortë dhe kandidati për Kryeshehrin e Kosovës, Visar Arifaj.
Lexoni rrëfimin e tij pse është legjendar, idetë brilante, planin… në një intervistë super ekskluzive për standardi.info.
Standardi: Pse duhet ta votojnë qytetarët Partinë e Fortë?
Visar Arifaj: Qytetarët duhet ta votojnë Partinë e Fortë pasi që është një obligim i tyre ndaj demokracisë në Kosovë. Vota për Partinë e Fortë është votë për demokracinë. Mos të harrojmë që qytetarët në komuna tjera nuk e kanë privilegjin e votimit për Partinë e Fortë. Kjo duhet të jetë edhe një arsye më shumë pse Prishtinasit duhet ta ushtrojnë me çdo kusht të drejtën e tyre për të votuar, kuptohet PF-në.
Standardi: Çka ofroni ndryshe nga partitë tjera dhe cili është qëllimi i juaj i qasjes në politikë?
Visar Arifaj: Ajo që na dallon neve nga partitë tjera është pikërisht ajo që i bashkon të gjitha partitë. Është shumë dukuri e keqe kur njerëzit koncentrohen në dallimet që i kanë mes tyre. Si rezultat i kësaj shumë shpesh kanë ndodhur luftëra të mëdha e krime kundër njerëzimit. Vërja e theksit tek dallimet gjithmonë na shpie tek diskriminimi.
Standardi: A ua keni frikën kandidatëve të tjerë?
Visar Arifaj: Në fakt është e kundërta. Në gara demokratike nuk duhet të ketë frikë askush. Këtu të gjithë jemi të barabartë dhe të gjithë kemi synime të njëjta. Vota për secilin kandidat është edhe votë për ne.
Standardi: Nga një koment të shkurt për kundër kandidatët tuaj?
Visar Arifaj: Bashkë-kandidatët për Prishtinë janë për çdo lëvdatë. Më vjen shumë mirë që ata kanë zgjedhur të jenë në të njëjtën garë me ne. Secili ka veçoritë, të kaluar dhe profil profesional ndryshe nga të tjerët. Kuptohet, ne jemi të hapur për secilin që pas zgjedhjeve t’i bëjmë nënkryetarë, qoftë në komunë, qoftë në parti.
Standardi: Pse Partia e Fortë, çka simbolizon emri?
Visar Arifaj: Partia e Fortë, si një parti me program edhe qëllime shumë konkrete, veçohet edhe për emrin e saj po aq konkret. Quhet Partia e Fortë sepse është e fortë. Mendojmë se në këso raste është më e drejtë edhe ndaj qytetarëve që të mos e teprojmë me simbolika pasi që mund të shkaktojmë konfuzion. Simbolikat dhe metaforat preferojmë t’i përdorim më shumë tek projektet dhe punët tona ashtu që të jenë sa më mjegullta, duke e pasur gjithmonë parasysh se konfuzimi i masave është në dobinë tonë si politikanë.
Standardi: Uji, rryma, rrugët, kanalizimi etj…. janë probleme në kryeqytet. Çka premtoni?
Visar Arifaj: Për partinë tonë nuk ka probleme por vetëm sfida. Premtimet tona janë nga më të ndryshmet. Duke e pasur parasysh që uji, rryma, rrugët e kanalizimi janë thelbësore për një jetë normale, ne do të kujdesemi që këto të jenë gjithmonë prioritet i çdo fushate parazgjedhore. Kërkesat e qytetarëve për qytetin e tyre gjithmonë duhen të jenë kërkesa për jetë normale. Nëse rregullohen plotësisht këto “probleme” atëherë çka do të kërkojnë qytetarët, jetë jo-normale? Sido që të jetë, qytetarët duhet të kenë besim tek Partia, të kenë besim që ne gjithmonë kujdesemi për mirëqenien e tyre.
Standardi: Sa do të shpenzoni për fushatë, pasi partitë e tjera kanë financues të fortë, nga do të financoheni?
Visar Arifaj: Shpenzimet tona për fushatë do të jenë minimale. Kjo nuk nënkupton se ne nuk do të bëjmë fushatë të madhe, përkundrazi, fushata jonë do të jetë bombastike. Ajo që na lejon neve të bëjmë fushatë kaq të madhe por me buxhet krejtësisht të vogël është respekti që e gëzojmë tek bizneset dhe profesionistët e fushave të ndryshme të cilët me gjithë vullnet kontribuojnë në promovimin e Partisë. E. I/standardi.info/