Saranda, qyteti mes kaltërsisë [Video]


E mërkurë, 1 Tetor 2014

Saranda

Saranda nuk shquhet si ndonjë qytet i madh i Shqipërisë por fama i vjen Sarandës për plazhet e bukura shkëmbore të saj, të famshme në të gjithë kombin dhe më gjerë. Bumi i zhvillimit të Sarandës ka ardhur në dekadën e fundit dhe zhvillimi ka qenë me së shumti në fushën e turizmit dhe të shërbimeve.

Historia e Sarandës si qytet nuk është shumë e veçantë dhe shumë e vjetër. Më e rëndësishme në zonë është historia e Butrintit, krijimi i të cilit, si qytet, vjen nga legjendat e Homerit. Ka qenë koloni e grekëve të lashtë dhe më pas e banuar nga ilirët. Pushtimi romak solli një zhvillim të madh të këtij qyteti dhe sot zbulimet arkeologjike tregojnë rëndësinë që i është dhënë Butrintit në lashtësi. Qyteti filloi të braktisej në Mesjetë për shkak të malaries dhe zonat përreth, sidomos Saranda, filluan të zhvillohen si fshatra në zmadhim e sipër. Pozicioni strategjik ushtarak i Sarandës është vënë re gjithmonë dhe nga çdo flotë është përdorur – Perandoria Osmane, Italia fashitste, Partia Komuniste, etj. Nuk është per t’u lënë pa përmendur që është vënë re gjithmonë edhe potenciali turistik si resort pushimi dhe kjo ka sjelle zhvillimin e sotëm të Sarandës.

Gjëja e parë që duhet vizituar në Sarandë është vija bregdetare. Është ndër më të veçantat në Shqipëri për shkak të guralecëve që përbëjnë plazhin. Gjatë një shëtitjeje në bulevardin kryesor pergjatë detit mund të shijosh një pamje të bukur të horizontit në perëndim të diellit dhe gjithashtu është një mundësi e mirë edhe për të blerë suvenire nga Saranda.

Në Muzeun Etnografik gjenden një numër objektesh të veçanta të përdorura nga banorët e zonës dhe gjithashtu edhe veshje të rajonit. Komuniteti hebre në Sarandë në kohën e Perandorisë Osmane ka lënë si trashegimi një sinagogë në Sarandë e cila është e vizitueshme gjithashtu. Në dalje të Sarandës ndodhet Kalaja e Lëkursit, e ndërtuar në periudhën e Perandorisë Osmane e sot është një vend që perveç vizitës, ofron gjithashtu edhe mundësi për një darkë të këndshme. Pozicioni i saj mbi kodër jep mundësinë e një pamjeje spektakolare të perëndimit të diellit në det. Në zonën e Porto Palermos, në një gadishull të vogël, gjendet Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, kushtuar bashkëshortes së tij. Është një ndër kalatë e vetme në Shqiperi që është thuajse plotësisht e pa dëmtuar dhe një deshmi e gjallë e kalave të shekullit të XIX.

Parku Arkeologjik i Butrintit, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është i mbushur me aq shumë atraksione arkeologjike sa një ditë nuk është e mjaftueshme për të shijuar gjithcka. Bazilika e gjendur aty është bazilika bizantine e dytë më e madhe në botë pas asaj në Hagia Sofia në Stamboll. Muret e kalasë dhe muret rrethuese të qytetit të vjetër janë ndër më të veçantat e kohës. Muzeu historik në kala ka një numër të madh objektesh interesante që tregojnë zhvillimin e Butrintit ndër shekuj. Duke filluar që nga Porta e Luanit, porta hyrëse e qytetit të vjetër, e deri në portën e fundit në muze, një ndjenjë mahnitjeje do ju shoqërojë gjatë gjithe rrugës.

Bukuritë e Sarandës nuk mbarojnë me kaq por vazhdojnë me bukuri natyrore duke filluar me bregdetin e Ksamilit, një ndër plazhet më të vizituara e më të parapëlqyera në Shqipëri. Ishujt e vegjël e të veçuar të Ksamilit janë një bukuri më vehte, e rrallë per t’u gjendur në vende të tjera. Liqeni i Butrintit, i veçuar nga deti me shumë pak gjerësi toke, ofron pamje të tjera të veçanta përveç midhjeve të shijshme. Shumë pranë nga qyteti ndodhet edhe Burimi i Syrit të Kaltër i vlerësuar si një ndër bukuritë më të rralla e më të veçanta të natyrës shqiptare. Parku kombëtar i Llogarasë është gjithashtu një vend tjetër shumë i mirë për pak ajër të pastër e për më shumë pushim e relaks. Përfundimisht, edhe pse Saranda është një qytet vërtet i vogël, mundësitë turistike që të ofron Saranda dhe zona përreth janë të shumta.

Është vendi i përkryer për çdo lloj turisti dhe gjithkush mbetet mëse i kenaqur nga Saranda. Në vendet më të bukura si: Borshi, Ksamili, Lukova, Qeparo./albaniatourism/

[youtube 8V_OcwMUqnc]