Selakoviq: Nisma e Vuçiqit, një nga porositë paqedashëse


E shtunë, 8 Gusht 2015

Nisma e kryeministrit Aleksandar Vuçiq për t’u caktuar një datë e përbashkët për kujtimin e të gjitha viktimave në hapësirat e ish-Jugosllavisë paraqet porosinë e radhës paqedashëse.

Me këtë tregohet se jemi sinqerisht të angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon, deklaroi sot ministri serb i drejtësisë Nikolla Selakoviq.

Ai për televizionin “Pink” ka thënë se kjo iniciativë duhet të shërbejë për pajtim esencial të qytetarëve.“Do të thosha se kjo është një nga porositë e radhës paqësore të kryeministrit Vuçiq dhe shtetit tonë me të cilën tregohet se jemi sinqerisht të interesuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe në rajon. Iniciativa u është drejtuar të gjithë liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ajo duhet të kontribuojë për pajtim esencial të qytetarëve”, ka thënë Selakoviq.

Kryeministri serb dje paralajmëroi se në konferencën e ardhshme për Ballkanin, që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht, do t’u propozojë të gjithë liderëve vendet e të cilëve kanë marrë pjesë në konfliktet në hapësirat e ish-Jugosllavisë që të gjendet një datë e përbas hkët për të përkujtuar të gjitha viktimat, që nuk do të dalloheshin për nga përkatësia kombëtare.

Edhe kryetari i Republikës Sërpska Millorad Dodik ka thënë se duhet përkrahur iniciativa e Vuçiqit.

Dodik mbrëmë për televizionin e njëjtë ka thënë se kjo është një “nismë e mirë” e Vuçiqit, “që vjen në çastin e vërtetë” dhe është “pjesë e kontinuitetit të përpjekjeve paqësore që Serbia i bën për forcimin e pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon”.

Tash për tash nuk ka reagim ndaj nismës së Vuçiqit nga vendet që pësuan mijëra e mijëra viktima nga agresioni dhe megalomania serbomadhe në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Etiketa: