Serbia kërcënon investitorët e Brezovicës, qeveria në gjumë


E premte, 17 Qershor 2016

81033-I6gGFbGRT1

Qeveria e Kosovës po heshtë edhe pas kërcënimeve të investitorëve nga pala serbe. Nuk është shprehur as publikisht apo privatisht për mbrojtjen e tyre, ndërkaq disa ministra të saj e trajtojnë si të huaj projektin, pasi është kryer në qeverinë e kaluar. Njëlloj edhe këta ministra janë të interesuar për dështimin e projektit.

Qeveria e Serbisë, shefi i Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë dhe ministra serbë në Qeverinë e Kosovës, janë angazhuar maksimalisht këto ditë, që të stopojnë dhe prishin procesin e privatizimit të resorit turistik të Brezovicës, një projekt që ka më shumë se dy vite që është në proces të privatizimit dhe është mbështetur fuqishëm edhe nga zyrtarë amerikanë dhe evropian në Kosovë.

Pala serbe, përfshirë edhe ministrat serbë në qeverinë e Kosovës, kanë arritur deri aty sa dokumentacionin konfidencial të kompanive, ta marrin në mënyrë të fshehtë, ta dërgojnë në Serbi, dhe më pas t’i kërcënojnë pronarët e kompanive apo konzerciumit që ka shprehur interes të investojnë në pikën turistike të Brezovicës.

Ndërkohë që, qeveria e Kosovës, nuk ka marrë në mbrojtje investitorët, qoftë në mënyrë publike apo private, duke mos trajtuar fare këtë temë.

Informacioni për kërcënimet dhe trembjen e investitorëve është konfirmuar për RTK nga konzerciumi që ka shprehur interes të investojë në Brezovicë, një fakt për të cilin ata janë shprehur të tmerruar.

“ Është i habitshëm fakti që shteti i Serbisë, ka arritur të marrë dosjen konfienciale nëpërmjet ministrave në Qeverinë e Kosovës dhe më pas investitorët janë thirrur dhe janë kërcënuar. Çdo investitorë normal do të ndjehej i pasigurte nëse merr kërcënime të tilla nga një shtet që pretendon se resori turistik është i tiji”, tha për rtklive, një zyrtarë i konserciumit që ka fituar projektin për të investuar në Brezovicë.

Sipas tij, ironia më e madhe qëndron në faktin se qeveria e Kosovës nuk i ka marrë investitorët për t’i shprehur gatishmërinë për mbrojtje.

“ Le që nuk shprehen për mbrojtje por sjellja e disa ministrave në Qeverinë e Kosovës është e njëjtë me të zyrtarëve serb, pasi edhe ata janë të interesuar për të dështuar projektin e Brezovicës, por për arsye të ndryshme nga shteti i Serbisë”, tha ky zyrtar i konzorciumit .

Ndërkaq, kërcënimi ndaj kompanive investuese, është konfirmuar nga vet shefi i Zyrës Së Ndërlidhjes, Marko Gjuriq, por ai ka thënë se nuk ka kërcënim tjetër, përveç atij që është bërë përmes letrës publike.

“I vetmi kërcënim që ekziston është kërcënimi i thënë publikisht për pasurinë tonë në Brezovicë. Ata na janë kërcënuar hapur se po e uzurpojnë pasurinë tonë në Bezovicë”, ka thënë Gjuriq lidhur me letrën që ua ka dërguar investitorëve potencialë, raporton gazeta ‘Blic’.

Sipas tij, investitorëve u është thënë se duhet të flasin me Serbinë për Brezovicën.

“Ne vetëm i kemi njoftuar investitorët potencialë se investimet janë të mirëseardhura, porse për investime duhet biseduar me pronarët e jo me ata që duan të uzurpojnë pasuri”, ka thënë Gjuriq për gazetën serbe “Blic”.

Derisa serbët janë kundër privatizimit për shkak se pretendojnë që Brezovica i’u takon atyre, ministrat e Qeverisë së Kosovës sillen me mospërfillje ndaj projektit për shkak se nuk kanë qenë në qeveri, kur ka mbaruar projekti i Brezovicës.

Ky projekt është iniciuar nga qeveria e kaluar, kur kryeministër ishte presidenti aktual Hashim Thaçi dhe është mbështetur fuqishëm nga organizata qeveritare amerikane USAID.

“ Zyrtarë shqiptarë të qeverisë së Kosovës janë të interesuar njëlloj për dështimin e projektit. Nuk e dimë arsyen, por mund ta marrim me mend. Atyre u duket sikur të ishte projekt i huaj për shkak se është kryer nga qeveria e kaluar”, tha zyrtari i konzerciumit për rtklive.

Radio dhe Televizioni i Kosovës ka kontaktuar me ministrin Arben Abrashin, këshilltarin e kryeministrit Faton Abdullahun dhe ministren Hikmete Bajrami.

Të tre zyrtarët e qeverisë së Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje dhe kanë injoruar pyetjet e RTK.

Nën mbikëqyrjen e qeverisë së kaluar, është shpallur fitues për ndërtimin e projektit të Brezovicës, konserciumi francez francez MDP Consulting – Compagnie des Alpes.

Kjo kompani është detyruar të investojë 400 milionë euro për 20 vitet e ardhshme.