E martë, 10 Shtator 2013
Seleksionuesi i Norvegjisë, Egil Olsen, ka thënë se Xherdan Shaqiri nuk luajti lojën e tij më të mirë në barazimin 4:4 mes Zvicrës dhe Islandës, të premten në ndeshjen eliminatore të Botërorit “Brazili 2014”. Norvegjia të martën (sot) në shtëpi luan kundër Zvicrës në ndeshjen e Grupit E që nis në orën 19:00.
“Shaqiri nuk ishte shumë bindës kundër Islandës, por unë e di shumë mirë se sa i fortë është ai kur jep gjithçka nga vetja. Shpresoj se mund ta ndalojmë atë”, është shprehur Olsen, i cili ka thënë se dallimi mes Norvegjisë dhe Zvicrës është shumë i vogël.
“Ne kemi lojtarë të tipit tjetër dhe nuk e kemi Xherdan Shaqirin. Mirëpo do të mundohemi t’u shënojmë gol zviceranëve”. Aktualisht pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara Zvicra i prin grupit me 15 pikë, e ndjekur nga Norvegjia (11). Pjesë e Zvicrës janë edhe Valon Behrami, Granit Xhaka e Blerim Xhemaili, ndërsa pjesë e Norvegjisë është Ardian Gashi.