Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

SHBA: Gara e hershme prsidenciale dhe Kosova

Astrit Shehu | 09:03 - 18.08.2015

Grupi i garuesve republikanë sipas sondazheve hëpërhë vazhdon të udhëhiqet nga miliarderi Donald Trump.

Derisa vrapi i grupit të senatorëve, ish guvernatorëve apo guvernatorëve aktualë republikanë i ngjanë më tepër, siç e tha kohë më parë presidenti Bill Clinton, garës së barabartë të kuajve në njëqind metrat e para në Kentucky Derby, kur asnjëri nuk ka një përparësi të ndjeshme, në anën tjetër demokratët dominohen nga ish senatorja dhe ish zonja e parë Hillary Clinton, të cilës po i bënë karshillëk sentori ‘socialist,’ Burney Sanders.

Grupi i garuesve republikanë sipas sondazheve hëpërhë vazhdon të udhëhiqet nga miliarderi Donald Trump, i cili po i thotë të gjitha ato që i mendojnë por nuk i thonë kandidatët e tjerë të cilët në këtë fazë po e ruajnë ‘korrektësinë politike.’

Sa e njohin kandidatët e shpallur Kosovën

Sigurisht se çështja e Kosovës dhe politika ndërkombëtare nuk ka qenë çështje e debatit të deritashëm apo e deklaratave për shtyp të kandidatëve të vetëshpallur. Dhe është mirë që Kosova nuk është pjesë e debatit apo diskutimeve derisa vazhdon jetën e saj në paqe si një shtet normal. Nga afër njëzetë kandidatë që tashmë kanë shpallur kandidaturën, gjashtëmbëdhjetë republikanë dhe tre-katër demokratë, shumica e tyre asnjëherë nuk kanë përmendur apo të kenë deklaruar ndonjë qëndrim zyrtar për Kosovën. Kjo thjeshtë për shkak të moshës së tyre dhe hyrjes në politikë në dekadën e fundit, periudhë kur Kosova ishte larguar nga faqet e para të shtypit amerikan dhe botëror.

Trashëgimia e familjeve Clinton dhe Bush për Kosovën

Nga ata që e kanë më ‘afër zemrës’ Kosovën sigurisht se janë kandidatët nga familjet demokrate Clinton dhe republikane Bush. Hillary Clinton ishte zonja e parë në kohën kur bashkëshorti i saj, Bill Clinton urdhëroi ushtrinë amerikane si prijëse e NATO-s të nisë bombardimet kundër forcave serbe dhe Serbisë në mars 1999. Jeb Bush është djali dhe vëllai i presidentëve George Bush plaku dhe i riu të cilëve në trashëgiminë e tyre presidenciale sigurisht Kosova do t’u zë nga një paragraf: njërit për ‘Kërcënimin e Kërshëndellave’ në dhjetor 1992 dhe tjetrit për njohjen e Pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008.
Gara presidenciale për zgjedhjet e vitit 2016 në Amerikë do të jetë interesante për vetë vendin, për botën dhe sigurisht pashmangshëm edhe për Kosovën, si një vend mbështetës më i madh i lirisë dhe pavarësisë së saj.


Etiketa:
Arivisti Company