Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

SHBA-ja afër krizës së madhe

Prizren Post | 17:10 - 13.10.2013

Washington, 13 tetor – Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim ka deklaruar se SHBA-ja është vetëm ditë larg një moment shumë të rrezikshëm për shkak se huamarrja e qeverisë ka shkaktuar krizë.

Ai u bëri thirrje politikë-bërësve amerikanë për të arritur një marrëveshje me qeverinë për të rritur tavanin e borxhit para afatit të së enjtes. “Mbetja e Thesarit të shtetit amerikan pa fonde do të ishte një ngjarje katastrofike për gjithë ekonominë botërore. Ndërkohë, çdo ditë që kalon i rrit edhe më shumë kostot për vendet në zhvillim. Besimi i ekonomisë botërore po bie, interesat e huave po rriten, ndërsa rritja botërore po ngadalësohet”, u shpreh Kim.

Thesari i SHBA-së do të ketë shkurtim fondesh në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje që ajo të marrë hua nga tregjet financiare. Sipas drejtuesit të BB-së, kjo do të jetë ngjarje shkatërruese për botën. “ Mos veprimi mund të sjellë rritje të normave të interesit, rënie të besimit dhe ngadalësim të zhvillimit. Nëse kjo ndodh mund të jetë katastrofike për ekonomitë e vendeve në zhvillim, por edhe për ekonomitë e vendeve të zhvilluara”, tha Kim në takimin vjetor të Bankës Botërore në Washington, transmeton BW.

Si rrjedhojë e mungesës së një marrëveshje mes demokratëve e republikanëve për rritjen e tavanit të borxhit, buxheti qeveritar në SHBA është ngrirë që prej datës 1 tetor.


Etiketa:
Arivisti Company