Shpërthim terrorist në Turqi, 8 policë ranë shehid


E premte, 26 Gusht 2016

ambulans

Sirnak – Si pasojë e një shpërthimi të kryer me autobombë nga terroristët e PKK-së në një pikë kontrolli të policisë në rajonin Cizre të qytetit Şırnak, sipas të dhënave paraprake kanë rënë shehid 8 policë dhe janë plagosur 45 të tjerë, raporton Anadolu Agency.

Sipas të dhënave të marra nga prefektura e qytetit Şırnak, mësohet se terroristët e PKK-së kanë kryer një sulm me autobombë ndaj një pike kontrolli të policisë e cila ndodhej afërsisht 50 metra nga komisariati i forcave të ndërhyrjes në trazirat publike të Drejtorisë së Policisë në rajonin Cizre, që ndodhet në lagjen Konak mbi autostradën Cizre-Şırnak.

Sipas të dhënave paraprake nga sulmi kanë rënë shehid 8 policë dhe janë plagosur 45 të tjerë nga të cilët 2 prej tyre në gjendje të rëndë. Të plagosurit janë dërguar në spitalin shtetëror në Cizre.

Ndër të tjera mësohet se në ndërtesën e komisariatit të policisë ka patur dëmtime të mëdha. Gjithashtu për shkak të shpërthimit të fuqishëm janë thyer xhamat e shtëpive dhe bizneseve përreth si dhe autostrada Şırnak-Cizre është mbyllur për trafikun.

Ndërkohë ka nisur operacioni për kapjen e terroristëve.