Shqipëria humb, por 6 shqiptarë shkojnë në Botëror


E shtunë, 12 Tetor 2013

Tiranë, 12 tetor – Xherdan Shaqiri ka shënuar një gol për të ndihmuar Zvicrën të kualifikohet në botërorin “Brazili 2014”. Ylli i ri i Bayernit shënoi golin e parë në fitoren 2:1, që ekipi “helvetik” e shënoi ndaj Shqipërisë të premten mbrëma në stadiumin “Qemal Stafa”.

Me këtë fitore Zvicra ka siguruar vendin e parë në Grupin E, që siguron kualifikimin direkt, ndërkohë që Shqipëria ka humbur edhe ato pak shpresa që kishte para kësaj ndeshjeje për të zënë vendin e dytë. Shqipëria tani është forcuar në vendin e pestë dhe deri në fund të eliminatoreve, kur ka mbetur edhe një xhiro për të zhvilluar, e shumta që mund të bëjë është të zërë vendin e katërt në grup, raporton Koha Ditore e së shtunës.

“Një lojë shumë e rëndësishme për ne, jemi 6 lojtarë shqiptarë në ekip dhe është shumë e rëndësishme që fituam dhe u kualifikuam në botëror. E kemi ditur që Shqipëria ka ekip të fortë dhe jam shumë i gëzuar që jemi kualifikuar në Brazil”, ka thënë Shaqiri pas ndeshjes. Ai edhe në ndeshjen e parë në Zvicër shënoi kundër Shqipërisë. “Zoti kështu deshi që unë të shënoja në të dy ndeshjet. Ne shqiptarët në Brazil do të përfaqësojmë edhe Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë”, shtoi Shaqiri.

Te Zvicra, pos Shaqirit e Xhakës, titullar ishte edhe Valon Behrami, ndërkohë që Admir Mehmedi e Blerim Xhemaili u inkuadruan në pjesën e dytë. Pajtim Kasami nuk fitoi rastin të luajë.

“Ishte derbi shqiptar, kishim emocione para lojës, shikuesit panë një lojë të mirë. Kemi dashur të fitonim dhe fituam. Shqipëria është në rrugë të mirë për të ndërtuar një ekip të mirë”, ka thënë Granit Xhaka.