E diel, 24 Maj 2026

Debati për integrimin gradual në union, po rikthen frikën e një Evrope me vende anëtare të dorës së parë dhe të dytë
Në politikën evropiane ekziston një rregull i pashkruar: kur Bashkimi Evropian nuk është gati të zgjerohet plotësisht, ai shpik formula të ndërmjetme. Pikërisht një formulë e tillë është rikthyer tani në qendër të debatit, pas propozimit të kancelarit gjerman Friedrich Merz për t’u dhënë vendeve kandidate një lloj “anëtarësimi të asociuar”.
Pra pjesëmarrje në institucionet e BE-së, por pa të drejtë vote. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi menjëherë dhe pa diplomaci të tepërt. Për Kievin, një Evropë ku Ukraina është e pranishme, por pa zë, nuk është integrim i vërtetë.
Në letrën drejtuar drejtuesve më të lartë të Bashkimit Europian, Zelensky e quajti këtë qasje “të padrejtë”, duke theksuar se Ukraina nuk mund të trajtohet si një anëtare e dorës së dytë, ndërkohë që po mban barrën e luftës në kontinent.
“Ne po e mbrojmë Evropën plotësisht, jo pjesërisht dhe jo me masa gjysmake”- deklaroi ai, duke refuzuar çdo model që do ta linte Ukrainën në një status të ndërmjetëm politik. Por pikërisht këtu nis edhe dilema shqiptare.
Sepse ndërsa Zelensky refuzon “gjysmë-anëtarësimin”, në Ballkan po projektohet një logjikë tjetër: integrim gradual, pjesëmarrje selektive dhe një Europë me disa shpejtësi. Shqipëria, bashkë me vendet e tjera të rajonit, rrezikon të futet pikërisht në këtë kategori të ndërmjetme, pra as jashtë BE-së, por as realisht brenda saj.
Pyetja që shtrohet sot është: a do ta pranonte Edi Rama një formulë të tillë? Sinjalet tregojnë se po. Pak javë më parë, në një editorial të përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Rama mbështeti idenë e një integrimi gradual të Ballkanit Perëndimor në strukturat europiane, përpara anëtarësimit të plotë.
Në thelb, koncepti ishte i qartë: vendet e rajonit të kenë qasje në tregun europian, fonde dhe pjesëmarrje institucionale, edhe pa qenë anëtare me të drejta të plota. Një formulë që në pamje të parë duket pragmatike, por që ngre një pikëpyetje të madhe politike: a po përgatitet opinioni publik shqiptar për të pranuar një status të tillë?
Rama mund ta shesë këtë si sukses historik. Mund ta paraqesë si “hyrjen e Shqipërisë në zemër të Europës”, si një trofe diplomatik, si dëshmi se vendi më në fund ka kapërcyer izolimin historik.
Në aspektin propagandistik, një marrëveshje e tillë do të ishte lehtësisht e marketueshme: flamuri shqiptar në tryezat europiane, pjesëmarrje në samite, fonde shtesë dhe lëvizje më e integruar ekonomike.
Por problemi është tjetërkund. Çfarë vlere ka një prani pa fuqi vendimmarrëse? A mund të quhet anëtarësim një status ku Shqipëria zbaton rregullat e BE-së, por nuk ka peshë reale në vendimmarrje? Ku merr detyrime, por jo sovranitet të barabartë politik?
Në thelb, kjo do të krijonte një Evropë me qendër dhe periferi, ku vendet e Ballkanit mbeten përjetësisht në sallën e pritjes. Kjo është arsyeja pse deklarata e Zelensky-t ka peshë më të madhe sesa duket.
Ai nuk po flet vetëm për Ukrainën. Po sfidon vetë idenë e një Evrope hierarkike, ku disa vende vendosin dhe të tjerat thjesht ndjekin. Për Shqipërinë, dilema është edhe më e ndjeshme.
Pas më shumë se tre dekadash tranzicion dhe premtimesh për integrim europian, shqiptarëve mund t’u ofrohet një version simbolik i anëtarësimit, një Evropë pa të drejtë vote. Dhe pyetja që do të dominojë debatin politik është nëse kjo do të konsiderohet një fitore strategjike apo një kompromis historik i maskuar si sukses. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
