Si e komunikojmë privatësinë tonë në internet?


E hënë, 3 Korrik 2017

Autor: Urall BOSHNJAKU

Privatësia në kuptimin e ngushtë nënkupton fshehtësinë e të dhënave në të cilat ka të drejtë qasjeje vetëm autori.
Me gjithë faktin që njerëzit janë në dijeni se çfarë privatësia nënkupton, ata prap kanë një tendencë në komunikimin e gjerë të saj me publikun, me apo pa vetëdije.

Edhe pse është shkruajtur shumë për privatësinë dhe “të drejtën për privatësi”, shumë pak njerëz kanë pasur mundësinë të lexojnë diçka më shumë rreth “nevojës së tyre për privatësi”. Nevoja për privatësi është diçka që i intereson individit dhe që mbetet zgjedhje e tij nëse do e komunikojë atë me të tjerët apo jo.

“Shumë faqe interneti ruajnë dokumente mbi pothuajse të gjithë përdoruesit e tyre aktivë”, shkruajnë autorët e Missouri Group në librin “Raportimi dhe shkrimi i lajmeve”.
Nisur nga kjo nënkuptohet që në momentin që individi vendos të hap qoftë vetëm një rrjet social, ai do të pajtohet që të komunikojë një pjesë të privatësisë së tij me atë rrjet. Në raste të caktuara ai lejohet që të mos jap disa nga informatat për veten e tij, por në disa raste atij i imponohet që të komunikojë të dhënat e tij, pa të cilat nuk ka mundësi të profilizohet në ato rrjete sociale.

Veç faktit se njerëzit komunikojnë disa nga të dhënat e tyre themelore, atyre në rrjete sociale përmes butonave të caktuar iu lejohet të zgjedhin se me kë dëshirojnë t’i përhapin postimet e tyre. Në momentin që ata vendosin që këto të jenë publike në njëfarë forme ata autorizojnë edhe të tjerët (pra, jomiqtë) të kenë çasje në dokumentet e tyre. Me zgjerimin e hapësirës intime çdo gjë që “ti” tregon për veten bëhet më publike e më pak intime.
Se privatësia komunikohet në gradat më intime e sidomos gjatë sezonës verore, s’do mend. Këtë më së lehti e vërejmë kur njerëzit (sidomos moshat rinore) postojnë në rrjetet sociale si Facebook, Tëitter, Instagram e Snapchat fotografi të trupit të tyre gjysmë të zhveshur nga pishinat, videoincizime të dëfrimit të tyre në klube të ndryshme të natës e kështu me radhë. E njëjta vlenë edhe për përdoruesit e moshave më të shtyera, të cilët shpeshherë pa përtesë na informojnë se ku ndodhen, çfarë bëjnë, çfarë hanë dhe “si ndihen” në Facebook.
Ky komunikim i privatësisë ndodhë me vetëdijen e plotë të autorëve dhe kjo iu ofron mundësi të hapur keqpërdoruesve që të manipulojnë me ato që autorët shpërndajnë.

Mbi të gjitha, sot ende shumë pak dijnë të bëjnë dallimin mes privatësisë dhe sekretësisë.
Boku thotë që sekreti është një informacion i bllokuar qëllimisht në mënyrë që të tjerët të mos mësojnë, posedojnë apo përdorin atë. Ndërsa privatësia lidhet me atë se cili mund të arrijë të qaset në këtë informacion.
Të gjitha këto janë dëshmi të mjaftueshme për të treguar se sa ne komunikojmë privatësinë tonë, dhe se sa e nevojshme është lënda e “Edukimit Medial” në shkollat shqipe.

Privatësia është fushë e ndjeshme, andaj individi duhet të dijë ta përdorë atë me kujdes.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: ,