Singapori e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe vendos marrëdhënie diplomatike


E enjte, 1 Dhjetor 2016

ks-singapor

Prishtinë – Republika e Kosovës sot ka pranuar njohjen e radhës. Pavarësia e Kosovës është njohur sot (më 1 dhjetor 2016) nga shteti i Singaporit me të cilin janë vendosur edhe marrëdhëniet diplomatike.

Kjo është njohja e 113 e pavarësisë së Kosovës dhe Singapori është shteti i katërt nga ASEAN që e ka pranuar Kosovën shtet të pavarur.

Singapori është i vendosur në Azinë Juglindore dhe ka popullsi prej 5.7 milionë banorësh. Ky shtet është një nga vendet më të zhvilluara në botë. Në të njëjtën kohë, Singapori ka pranuar pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të marrin vizë në misionet diplomatike dhe konsullore të Singaporit apo të aplikojnë online për e-vizë për të hyrë në Singapor që nga sot.

Me qëllim të thellimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vitit të ardhshëm pritet ta vizitojë Singaporin për të thelluar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare me të.