Sipas Der Standard, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja


E premte, 26 Shtator 2014

Për shkak të bllokadës së brendshme politike në Kosovë, po stagon zbatimi i marrëveshjes me Serbinë.

Me sa duket kosovarët do të duhet të dalin edhe një herë në zgjedhje të reja. Kështu shkruan gazeta austriake `der Standard` në një artikull të botuar sot, kushtuar zhvillimeve në Kosovë.

Në artikullin e gazetës së njohur austriake `Der Standard`, kushtuar zhvillimeve në Kosovë, kështu përshkruhet gjenda e krijuar si pasojë e bllokadës politike katër muaj pas zgjedhjeve në Kosovë: “Sipas të gjitha gjasave në Brezovicë më parë do të bjerë borë se sa të bëhet privatizimi i këtij resori dimëror turistik. Ndërkohë, 16 borde të agjencive shtetërore presin emërimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Investimit e huaja po bien. Në Kosovë është bllokuar gjithçka, vetëm deputetët vazhdojnë ti marrin pagat e tyre. Ngërçi politik vazhdon të mbetet edhe katër muaj pas zgjedhjeve”.

Gazeta përshkruan dy rastet e dështimeve për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas gazetës ka vendosur që për vendin e kryeparlamentarit të zgjidhet vetëm një kandidat, ai i PDK-së.

Duke parë këto zhvillime duket e largët mundësia e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit, që do t’i hapte rrugën formimit të qeverisë.

Për pasojë, mbajtja e zgjedhjeve të reja po bëhet gjithnjë e më shumë opsion i mundshëm.

Der Standard shkruan se prapavija e krizës mes tjerash ndodhet edhe në kërkesën me çdo kusht të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj për tu bërë kryeministër, por kjo po kundërshtohet nga Hashim Thaçi.

Der standard shkruan se në rast të organizimit të zgjedhjeve të reja ku blloku opozitar do të shkonte me një koalicion parazgjedhor, do të kishte mundësi humbjen e votave.

Kriza aktuale ka një ndikim gjithashtu edhe në stabilitetin e vendit. Për pasojë zbatimi i marrëveshjes me Serbinë ka stagnuar. Kjo e bën edhe më të rrezikshme zbatimin e procesit, pasi Blloku dëshiron ti japë lëvizjes Vetëvendosje drejtimin e dialogut me Serbinë.

Me këtë do të rrezikohet themelimi i Asociacionit të komunave serbe në veri dhe kjo do të ishte një goditje edhe për përpjekjet e BE-së që ka ndërmjetësuar dialogun.
Bllokadat parlamentare në vendet e Evropës jugore janë të zakonshme. Ka vite që opozita në Maqedoni po pengon punën e parlamentit. I njëjti rast po ndodh dhe me Shqipërinë, shkruan Der Standard. /rtk/

Etiketa: ,