S’ka BE për Serbinë pa njohjen e Kosovës


E martë, 18 Gusht 2015

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të Katalunisë, por kjo është qesharake pasi populli katalunas do të vendosë lirshëm për të ardhmen e tij, e pranoi apo jo Spanja pavarësinë e Kosovës.

​Kështu ka thënë ndër të tjera në një intervistë eurodeputeti katalunas, Josep-Maria Terricabras
Është i bindur që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është garancia më e mirë për stabilitet dhe zhvillim në Kosovë e rajon. Madje Serbia do të jetë e detyruar që ta njohë Kosovën, nëse synon integrimin në Bashkimin Evropian.

Kështu ka thënë eurodeputeti katalunas Josep-Maria Terricabras, i cili në shumë prononcime ka përkrahur integrimin e Kosovës në BE, në një intervistë ekskluzive dhënë “Zërit”. Sipas tij, Parlamenti Evropian duhet të veprojë më shpejt sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën.

Mbetja e Kosovës, i vetmi vend i izoluar, sipas Terricabras, është një trajtim jo i drejtë nga Evropa që po u bëhet kosovarëve.

Eurodeputeti katalunas, ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe kushtet që kjo e fundit do t’i ketë drejt integrimit. “Njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë absolutisht dhe padyshim e detyrueshme për Serbinë para se kjo të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Terricabras.