“S’ka pikë dyshimi se Shqipëria do të çelë negociatat me BE-në”


E diel, 13 Nëntor 2016

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook video komunikimin e javës, ku ka folur për rekomandimin pozitiv që Komisioni Evropian i dha Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

.

Rama theksoi sërish se qeveria mbetet e vendosur të çojë përpara reformat e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë, duke nisur nga Ligji i Vettingut, i cili sipas tij, do të realizohet pavarësisht vonesave që po përpiqen t’i shkaktojnë dritëshkurtërit, siç i cilësoi ai demokratët, të cilët kanë ankimuar ligjin.

“I vetmi kusht është zbatimi i Ligjit të Vettingut. S’do as mend as premisë, që ky kusht është kushti i neve vetë në rrugën evropiane, të cilin e kanë zgjedhur vetë shqiptarët 26 vjet më parë. Do t’i bëjmë një për një reformat e integrimit, jo se na i kërkon Brukseli, por se ua kemi borxh fëmijëve tanë, shqiptarëve të gjeneratës tjetër”, ka thënë Rama transmeton KOHA.net

“Por ne duhet të vijojmë të bëjmë progres në çdo fushë. S’ka pikë dyshimi se Shqipëria do të çelë negociatat me BE sapo puna përgatitore për reformat të ketë filluar dhe ne të kemi vazhduar të japim provën e vijimit të progresit në çdo fushë, përfshirë edhe zbatimin e Ligjit për Vettingun, pa asnjë diskutim. Por s’ka si të mos ketë më asnjë pikë dyshimi që opozita jonë po na turpëron të gjithëve në sytë e familjes europiane me broçkullat e saj për kanabistanin dhe me stanin e lepujve që përfaqëson për fatin tonë më të keq”.