Skandal: Patriarku serb në Kosovë, e quan Prizrenin qytet serb


E diel, 15 Maj 2016

irinej2-780x439

Kreu i Kishës Serbe, patriarku Irinej, në ceremoninë e purifikimit të seminarit ortodoks në Prizren,“Bogosllovia”, ka thënë se ky seminar ka qenë shkolla e parë serbe në Kosovë.


Sipas Irinejt, në këtë seminar, që ka funksionuar për 140 vjet, janë shkolluar personalitete të mëdha.

“Kjo është një ditë e madhe për Prizrenin serb, për Kishën serbe dhe popullin serb në Kosovë e Metohi. Kjo ‘Bogosllovi’ ka qenë shkolla e parë serbe në Kosovë dhe Metohi, si seminar që ka përgatitur priftërinjtë dhe mësimdhënësit për tërë Kosovën e Metohinë, Maqedoninë e pjesërisht për Bosnjën dhe Hercegovinën. Është një institucion i rëndësishëm. 140 vjet ka punuar, personalitete të mëdha janë shkolluar këto, dhe ka nxënës që janë bërë figura udhëheqëse të Kishës tonë. Prandaj, është njëra nga ‘Bogosllovitë’ më të rëndësishme dhe më meritore për kulturën tonë, për Kishën tonë”, ka thënë Irinej, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” nga Prizreni.

“Kjo është një ditë e madhe. Tragjedia e saj ka qenë tragjedi e tërë popullit tonë. Pakkush ka besuar se do të vjen deri te kjo ripërtëritje, por fal Zotit dhe njerëzve të vullnetit të mirë, shtetit tonë dhe miqve është rindërtuar dhe pajisur më mirë se që ka qenë më parë”, ka theksuar ai.

Në ceremoninë e purifikimit të seminarit ortodoks në Prizren, nga Qeveria e Serbisë kanë marrë pjesë ministri i Drejtësisë Nikolla Selakoviq, drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, ministri i Qeverisë së Kosovës për Kthim, Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, kreu i Listës Serbe, Sllavko Simiq, etj.

Aty kanë marrë pjesë edhe besimtarë të shumtë serbë nga Kosova e Serbia, ndërsa është vënë re edhe prani e shtuar e Policisë së Kosovës.