Skandaloze apo jo, Donald Trump, presidenti i 45-të i SHBA-ve


E mërkurë, 9 Nëntor 2016

trump

Ankara – Biznesmeni Donald Trump, kandidati nga radhët e Partisë Republikane që fitoi zgjedhjet e 58-ta në SHBA, arriti të bëjë befasi të madhe duke u bërë presidenti i 45-të i SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

Donald Trump mesazhe uniteti për amerikanët

Kandidati i Partisë Republikane që fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trupm, tha se “Do të kemi ekonominë më të fuqishme në botë. Në të njëjtën kohë, do t’ia kalojmë mirë me të gjitha kombet”.

I sapozgjedhur president i 45-të i SHBA-ve, Trump u shfaq para votuesve të tij për të mbajtur fjalimin e fitores. Ai nisi fjalimin duke i falënderuar qytetarët, ekipin e tij për mbështetjen gjatë procesit zgjedhor dhe familjen e tij.

Trump tha se kandidatja nga Partia Demokratike Hillary Clinton e ka telefonuar për t’ia uruar fitoren. “Hillary na e uroi fitoren”, u shpreh ai.

Më tej, ai theksoi se konkurrentja e tij Clinton ka punuar shumë. “Ne i kemi borxh të madh për shërbimin që ka bërë për këtë vend”, vazhdoi ai.

Duke dhënë mesazhe uniteti, Trump tha se “Tani është koha që Amerika të lidh plagët e ndarjes dhe të bashkohet. Si republikanë, ashtu edhe demokratë, duhet të bashkohemi sërish. Premtoj se do të jem presidenti i të gjithë amerikanëve. Po j’ua zgjas dorën që ta bashkojmë vendin tonë me udhëzimin dhe ndihmën tuaj.”

Trump tha se puna e tyre nuk ishte një fushatë, por më tepër një lëvizje e përbërë nga miliona njerëz punëtorë që e duan vendin e tyre, nga raca dhe fe të ndryshme. “Do të ndërtojmë sërish vendin dhe ëndrrat tona”, potencoi Trump.

Duke dhënë mesazhe në lidhje me rritjen ekonomike, Trump tha: “Do të kemi ekonominë më të fuqishme në botë. Në të njëjtën kohë, do t’ia kalojmë mirë me të gjitha kombet.”

Trump premtoi se nuk do ta zhgënjejë popullin amerikan, duke u shprehur më tej se procesi zgjedhor ka përfunduar, por punët sapo kanë filluar. “SHBA-të më nuk do të pranojnë asgjë më pak se më të mirën”, tha Trump. Pas fjalimit, Trump pranoi urimet nga të pranishmit në sallë dhe bëri fotografi me votuesit.

Kush është Donald Trump?

Procesi i 58-të zgjedhor i cili filloi me zgjedhjet preliminare më 1 shkurt 2016, përfundoi me zgjedhjet që u mbajtën dje në 50 shtete dhe në Washington DC.

Trump fitoi të drejtën për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë duke e lënë prapa konkurrenten e tij me përvojë, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, dhe në këtë mënyrë arriti të bëhet personi i parë pas 60 vitesh merr postin presidentit pa patur paraprakisht karrierë politike duke bërë një befasi të madhe.

Trump, i cili merr detyrën në moshën 70-vjeçare, njëkohësisht do ta mbajë epitetin e presidentit më të moshuar në historinë e SHBA-ve.

Trump ka lindur më 14 qershor 1946 në New York, si fëmija i katërt nga pesë fëmijët e Frederick dhe Mary MacLeod. Ai është nipi i biznesmenit amerikan me origjinë gjermane Frederick Trump.

I inspiruar edhe nga babai i tij i cili merrej me pasuri të patundshme, Trump qysh në moshën e rinisë shprehu interesim në fushën e pasurive të patundshme. Në vitin 1968, Trump u diplomua në Universitetin e Pennsylvanias në drejtimin e ekonomisë.

Në vitin 1971, ai mori kontrollin e kompanisë së babait të tij dhe emëroi atë në “Trump Organization”.

Qendrën e kompanisë Trump e zhvendosi në Manhattan. Për një kohë të shkurtër ai arriti të bëhet i njohur me hotelet që i ndërtoi. Ndërkaq, prgrami televiziv “The Apprentice” (Praktikanti) që filloi ta realizojë në vitin 2004 në kanalin amerikan NBC, i ndihmoi tutje në ngritjen e famës së tij.

Pasuria e tij 3.6 miliardë dollarë

Trump, i cili në vitin 2016 hyri në listën e “400 njerëzve më të pasur në botë” nga revista Forbes, thuhet të ketë pasuri prej 3.6 miliardë dollarësh.

Gjatë fushatës parazgjedhore, tatimet e vjetra të Trump-it u bënë shpesh herë temë diskutimesh, ndërkohë që u pohua se ai nuk ka paguar tatimet në 18 vitet e fundit.

Kandidat për Çmimin Nobel për Paqe

Trump, i cili u kritikua për retorikën e tij islamofobike në SHBA, në vitin 2016 ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për “paqen e tij të fuqishme nëpërmjet ideologjisë së forcës, e përdorur si një armë parandalimi kundër Islamit radikal, DEASH-it, Iranit bërthamor dhe Kinës komuniste”, megjithatë nuk e fitoi atë.

Ndërkaq, zv/presidenti i Trump, Mike Pence, ka kryer detyrën e guvernatorit të Indianas.

Ai ka pesë fëmijë nga tre martesa. Trump që nga viti 2005 është i martuar me Melania Trump.

Pasi fitoi të drejtën për t’u bërë presidenti i 45-të i SHBA-ve, Trump do ta marrë zyrtarisht detyrën nga presidenti aktual Barack Obama në ceremoninë që do të mbahet më 20 janar 2017.

Të fundit