Sot ditë zie në Maqedoni


E hënë, 8 Gusht 2016

shk

Shkup – Në njoftimin e Qeverisë thuhet se “Qeveria ka marrë vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës në kohëzgjatje prej 15 ditëve”.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë sot në seancën urgjente shpalli ditën e hënë, 8 gushtin Ditë Zie, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se “Qeveria ka marrë vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës në kohëzgjatje prej 15 ditëve, si dhe vendimin për ndarjen e kompensimit financiar në vlerë prej 300.000 denarë për familjet e qytetarëve që humbën jetën”.

Siç thuhet në njoftim, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim është obliguar që tërë pajisjet, prej të gjitha rajoneve në shtet, ti vendosë në disponim në rajonet e krizës, ndërsa rekomandon që komunat të cilat disponojnë me vakum cisterna t’i vendosin në disponim të Qytetit të Shkupit.

Është marrë vendim për ndarjen e naftës për nevojat e Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, NP “Rrugët e Maqedonisë”, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Në kontekst të vlerësimit sa më efikas dhe më të shpejtë të dëmeve të bëra, ndërsa me qëllim të formimit të një numri të madh të komisioneve për vlerësim të dëmeve, Qeveria obligoi institucionet shtetërore që të delegojnë persona të cilët do të vihen në funksion të komisioneve komunale për vlerësim të dëmeve”, thuhet në njoftimin.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftuan se gjatë motit të keq që përfshiu Shkupin dhe rajonin, 21 persona humbën jetën, të cilët janë gjetur në rajonin e vendbanimeve Hasanbeg, Stajkovcë, Creshevë dhe unazën tek Smillkovci.