E enjte, 11 Korrik 2013
Srebrenica është simboli i Luftës së Bosnje-Hercegovinës që u zhvillua gjatë viteve 1992-1995.
Qyteti ishte i rrethuar nga serbët dhe pavarësisht se u shpall zonë e sigurt nga ana e Kombeve të Bashkuara, në datën 11 korrik 1995 ai ra në duart e serbëve.
Pasi morën qytetin, serbët i ndanë meshkujt nga gratë dhe fëmijët dhe pasi i masakruan i groposën në varre masive.
Tashmë kanë kaluar 18 vjet nga masakra e Srebrenicës, e përjetuar në mes të Evropës. Kanë kaluar shumë vjet, por vazhdon ende procesi i identifikimit të viktimave, sipas eshtrave që nxirren nga varret masivë ,dhe i rivarrosjes së tyre me ceremoni.
Ashtu si çdo vit edhe këtë vit qindra boshnjakë të masakruar në këtë luftë u dërguan në kryeqytetin Sarajevë. Në fillim u zhvillua ceremonia përpara Presidencës dhe u mbajt qëndrim nderi.
Eshtrat e 409 viktimave mbërritën në orët e mbrëmjes dhe do të varrosen sot në drekë në Potoçari të Srebrenicës.
Ndër 409 kufomat më i vogli është bebi Muhiç, ndërsa më i moshuari është Ethem Rahmanoviç i datëlindjes 1919.
Pas rënies së Srebrenicës, gjatë Luftës së Bosnjës, në 11 korrik 1995 serbët masakruan 8 mijë e 372 vetë, shumica civilë pa bërë dallime në të rinj-të moshuar, gra apo fëmijë.
Deri tani analizat e ADN-së kanë përfunduar për rreth 7 mijë kufoma dhe viktimat e identifikuara janë rivarrosur.
Në ceremoninë e varrimit do të marrin pjesë edhe anëtari boshnjak i Këshillit Presidencial Bakir İzzetbegoviç dhe Kryetari i Unionit Islamik të Bosnje Hercegovinës Hüseyin Kavazoviç.
Kurse Turqia në këtë ceremoni do të përfaqësohet nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit Ömer Çelik, si dhe shumë autoritete të bashkive dhe organizatave civile turke.