Tahiri takohet me delegacionin e Qeverisë gjermane, bisedohet për bashkëpunim më të thellë ekonomik


E mërkurë, 24 Maj 2017

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, u takua sot me delegacionin e Qeverisë së Gjermanisë, të kryesuar nga  znj. Heike Backofen – Warnecke, zëvendës drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Evropën Lindore dhe Kaukazin Jugor në Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Gjermanisë, në përbërje të cilit ishin Anja Betcsky , Zyrtare  në Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Gjermanisë, Jorg Meilicka, Menaxher për shtetet e Evropës Jug-Lindore dhe Turiqsë në KfW , Esther Gravenkotter ,  Drejtoreshë e Zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoni , Rene Eschemann pasardhëse e znj. Gravenkotter, Ganimete Huruglica, Zëvendës Drejtoreshë dhe Kordinatore për Sektorin e Energjisë në KfW, Henriete Kotter,  Sekretare e parë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.

Duke i falënderuar për përkrahjen që shteti i Gjermanisë ka dhënë për Kosovën, ministrja Tahiri  njoftoi delegacionin gjerman për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë si dhe për avancimin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës. Në mënyrë veçantë, ministrja Tahiri theksoi potencialet e larta ekonomike të Kosovës dhe kapitalin  e pasur njerëzor duke kërkuar nga Gjermania bashkëpunim më të thellë ekonomik dypalësh.

“Shtetet që kanë ndihmuar pavarësinë e Kosovës, sikurse që është  Gjermania, duam t’i kemi partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës” tha ministrja Tahiri.

Ajo po ashtu vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë, respektivisht të bankës gjermane KfW, për projektin e linjës së interkonjeksionit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa kërkoi nga shteti i Gjermanisë që të ndihmoj në zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë, e cila marrëveshje vazhdon të bllokohet nga pala serbe. Ajo potencoi se mosrespektimi i marrëveshjes së Brukselit për energji nga Serbia po mban peng përpjekjet e Procesit të Berlinit për interkonektivitetin rajonal të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga KOSTT me ç ‘rast drejtori Mustafë Hasani, të cilët poashtu ka shprehur brengosjen e mos implementimit të marrëveshjes së Brukselit për energji dhe pasojat e saj për Kosovën dhe rajonin.

Nga ana e saj, znj. Warnecke ka shprehur vullnetin e shtetit të saj, Gjermanisë, për mbështetjen e vazhdueshme për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës në të gjitha sferat si dhe në proceset e integrimit euro- atlantik. Ajo tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës ndërsa premtoi angazhime për të gjetur zgjidhje sa më të shpejt për implementimin e marrëveshjes së energjisë duke ruajtur gjithmonë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Etiketa: