Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Të drejtat e punëtorëve ende jo në nivelin e knaqshëm

Prizren Post | 15:45 - 01.05.2016

Respektimi i të drejtave të puntorëve në Kosovë ende nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Kështu thonë punëtorët dhe drejtuesit e organizatave sindikale, të cilët kërkojnë zbatim të plotë të Ligjit të Punës dhe atij për Sigurinë në punë. Vetëm gjatë vitit 2015 si pasojë e aksidenteve dhe kushteve jo të mira të punës, në Kosovë kanë vdekur 9 punëtorë, ndërsa 45 të tjerë janë lënduar.

Të punësuarit në Kosovë, sidomos në sektorin privat, ende nuk i gëzojnë të drejtat që ua garantojnë ligjet në fuqi: Ligji i punës dhe ai për Sigurinë në punë. Shumë prej tyre, ndonëse nuk janë të kënaqur me trajtimin që ua bëjnë punëdhënësit, hezitojnë të flasin, nga frika e humbjes së vendeve të punës. E Inspektorati i Punës është duke punuar vazhdimisht për evidentimin e rasteve të tilla, ku nuk respektohet e drejta e punëtorëve. Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi thotë për Radio Kosovën, se ka përparim në respektimin e të drejtave të punëtorëve, krahasuar me vitet e kaluara por ende mbete shumë për të punuar. Ai thotë se vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, janë shqiptuar 17 gjoba.

“Jemi duke bërë inspektime permanente, në vitin e kaluar ne kemi pas mbi 9000 mijë, ndërsa në këta tre mujor kemi bërë 1766 inspektime. Në vitin e kaluar inspektorati ka shqiptuar 194 gjoba, ndërsa në tre mujorin e këtij viti ka shqiptuar 17 gjoba për mos respektimin e ligjit, për siguri e shëndet në punë”, tha ai.

Një prej sektorëve ku më së paku respektohen të drejtat e punëtorëve, është ndërtimtaria, ku është evidente mungesa e sigurisë në vendet e punës. Gjatë viti 2015 në vendin tonë kanë vdekur 9 punëtorë në vendet e tyre të punës, ndërsa 45 të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidenteve dhe kushteve jo të mira të punës, thotë kryeinspektori Ibrahimi.

Ndërkohë edhe nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Alush Sejdiu thotë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë nuk respektohen, në veçanti në sektorin privat.

“Shkeljet fillojnë prej procedurave më të thjeshta, që i rregullon ligji. Duke filluar nga ligji i punës, ligji mbi organizimin sindikal por edhe marrëveshja kolektive që është në fuqi prej vitit të kaluar. Prandaj kemi probleme të shumta në shumë ndërmarrje”, th ai.

Vetëm gjatë vitit 2015 në zyrat e punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë evidentuar 112 mijë persona të rinjë, që janë të gatshëm për tregun e punës. Ministri i Punës Arban Abrashi, thotë se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar që të krijojë një infrastrukturë të duhur ligjore për ngritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, duke harmonizuar legjislacionin tonë me atë të BE-së.

“Kohët e fundit kemi themeluar komisionet profesionale për certifikimin dhe licencimin e personave që merren me sigurinë dhe shëndetin në punë si dhe për dhënien e provimit profesional gjithmonë me qëllim që punët nga siguria e shëndeti në punë të kryhen në mënyrë sa më profesionale”, tha ai.


Etiketa:

Bëni një koment