E martë, 11 Qershor 2013
Në pesë muajt e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës ka realizuar të hyra më pak se që ka planifikuar, edhe pse janë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2012. Këtë e ka pranuar vetë drejtori i Doganave, Naim Huruglica, i cili, ndër tjera, ka pohuar se kontrabanda po vazhdon në veri, por jo në nivel siç ka qenë më herët.
Gjatë një vizite që ministri i Financave, Besim Beqaj i ka bërë Doganës së Kosovës, ku është pritur nga drejtori i saj Naim Huruglica, ata kanë folur për çështjet aktuale në vend. Huruglica ia ka rikujtuar Beqaj se janë institucioni që mbledhin më së shumti të hyra për buxhetin e vendit. Ai ka thënë se Dogana po luan rol të madh edhe në mbrojtjen e qytetarëve nga importi i mallrave të ndaluara. Pranoi se nuk kanë arritur t’i përmbush planet që ka pasur.
“Në muajin maj i kemi përfunduar nominalisht me diku 292 milion euro të hyra, që shprehur në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje prej 4.5%, transmeton rtv21. Jemi më pas se ajo që kemi bërë projeksione, por tash po provojmë që të gjejmë fushat pa bërë pengesa serioze në mbarëvajtjen e biznesit të arrijmë që deri në fund të vitit ta përmbushim projeksion që shkon në 8% më shumë se vitin 2012″, ka thënë ai.
I pyetur nëse ka ndërruar qasja e kontrabandistëve në veri që nga arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, i ka thënë se aktualisht gjendja mbetet e njëjtë, por, sipas tij, ka rënë niveli i kontrabandës edhe pse ende ekziston.
“Qasja nuk ka ndërruar. Në momentin që kemi bërë punën e përbashkët me autoritetet serbe tash është më e pamundur për kontrabandistët që të fusin kontrabandë në Kosovë nëse tentojnë që në njërën anë të përfitojnë lirimet, sepse ju e dini që legjislacioni është i njëjtë si në Kosovë si në Serbi por për t’u liruar nga tatimet ai duhet të kalojë nga kanali i rregullt. Bashkëpunimi mes autoriteteve mes të dyja vendeve e ka zvogëlua kontrabandën por nuk e ka ndal krejt”, ka thënë ai.
Kur është folur për eksportin i tha se është rritur për 50% në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe se, sipas tyre, nuk janë më vetëm metalet por edhe produktet e gatshme.
Ndërsa ministri Beqaj ka pohuar se kanë për qëllim të zëvendësojnë importin me prodhime vendore, e që nuk nënkupton zvogëlim të konsumit por zhvillim të aktivitetit brenda vendit.