E enjte, 3 Mars 2016
Prishtinë – Organizata EC Ma Ndryshe sot ka publikuar analizën “Trashëgimia kulturore: një histori e patreguar”, e cila synon t’i shqyrtojë tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, të miratuara nga Ministria e Arsimit e Kosovës, për të parë se si prezentohet në to trashëgimia kulturore e Kosovës.
Nga shqyrtimi i teksteve mësimore të historisë në Kosovë, sipas kësaj analize, del se trashëgimia kulturore në këto tekste prezantohet në mënyrë tejet të kufizuar. “Nuk thuhet asgjë mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe lidhjen e saj me formimin e identiteteve, as për ndikimin që diversiteti kulturor mund të ketë në zhvillimin e tolerancës, pengimin e urrejtjes, të racizmit dhe formave të tjera të diskriminimit që mund të shkaktojnë konflikte. Këto tekste nuk e shpjegojnë fare konceptin e ‘trashëgimisë kulturore’, e madje as që e përmendin ndokund”.
Në analizën e autorit Shkëlzen Gashi, thuhet se tekstet paraqesin kryesisht objekte/monumente të trashëgimisë kulturore dhe këto pothuajse kryekëput përmes fotografive. Shumica dërrmuese e objekteve/monumenteve të prezantuara në këto tekste kanë karakter etnik e politik, por edhe kur nuk e kanë, prezantohen sërish në kontekst etnik e politik.
“Në këto tekste nuk prezantohet fare sundimi serb gjatë mesjetës në Kosovë, e për rrjedhojë mungon edhe prezantimi i trashëgimisë kulturore, kryesisht i objekteve fetare, të kësaj periudhe. Po ashtu, duke pasë parasysh se në këto tekste periudha pesëshekullore nën sundimin osman paraqitet si e errët, nuk figuron pothuajse asgjë nga trashëgimia kulturore e saj. Përjashtim bëjnë deri-diku vetëm tekstet ‘Historia 11’ dhe ‘Historia 12’ për gjimnazin e përgjithshëm”.
“Sa i takon periudhës nën sundimin Jugosllavisë së Titos (1945-1990), jepen pjesërisht vetëm disa të arritura në fushën e arsimit e të kulturës, por nuk figuron asnjëri prej objekteve/monumenteve të ndërtuara gjatë saj. Kosova po synon anëtarësimin në UNESCO, ndërkohë që në tekstet mësimore të historisë brezave të rinj nuk po u mësohet pothuajse asgjë nga trashëgimia kulturore e saj”.