Tërmkolli: Komandantët ia bënë njëri-tjetrit dosjet për Specialen [video]


E mërkurë, 1 Mars 2017

Prishtinë – Deputetja nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka folur për ligjin për hapjen e dosjeve nga periudhat e kaluara politike në Kosovë, në një paraqitje televizive të martën.

Tërmkolli ka thënë se hapja e dosjeve në Kosovë do të hap telashe të mëdha.

Ajo ka thënë në televizionin “Rrokum” se në parim është pro hapjes së dosjeve, por se kjo duhet të bëhet nëpërmjet institucioneve të besueshme.

[youtube ImAtTOMxIDw]

Tërmkolli ka mohuar se LDK bën dosje për anëtarë të partive tjera, lidhur me vrasjet e figurave të LDK’së.

Sipas saj, komandantët ia bënë njëri-tjetrit dosjet për Gjykatën Speciale.

Ajo ka thënë se Kosova nuk mbrohet, siç është shprehur ajo, duke e kallur. Ajo i është referuar veprimeve të opozitës në Kuvend me gaz lotsjellës, derisa ka folur për çështjen e Demarkacionit.

Termkolli ka thënë se është e patolerueshme që perfaqësues politikë të Kosovës mund të ulen me politikanë serbë, të cilët i ka quajtur si pasardhës të skenës politike gjenocidiale, ndërsa nuk mund të ulen partitë politike në Kosovë mes vete.

Deputetja e LDK-së ka thënë se është e pashpjegueshme sjellja e Qeverisë për Demarkacionin, përderisa vet Mali i Zi është në gjendje që të rinegociojë, edhe pse Kuvendi atje e ka miratuar formën aktuale të Demarkacionit.

“Ka shume variante lidhur me Demarkacionin, për të cilat mund të bisedohet, prandaj është e habitshme këmbengulja e Mustafës për ta ratifikuar këtë version të Demarkacionit, përderisa vet sponzorizuesi i demarkimit, Hashim Thaçi, e ka bërë njëfarë tërheqje”, është shprehur ajo.

Etiketa: ,