“Terroristët shqiptarë”


E hënë, 18 Gusht 2014

shkrime

Flamur KUÇI

Po lexoja një artikull në një gazetë të përditshme rreth temës, e cila është aktuale sa herë që në Kosovë sillet e pshtillet diçka (siç pati thënë Adem Grabovci – Pronto) siç po pshtillet diçka rreth formimit të qeverisë së re e barrikadave në veri, e e cila temë është ekstremizimi islamik, ose edhe me emërtime të tjera si radikalizmi islamik e rreziku nga radikalizmi islamik etj. Flitej rreth asaj se kinse një nga restorantet në Kosovë ishte çerdhe e radikalistëve dhe ku bëhej thirrje për të shkuar në Siri, e në anën tjetër nga fotoja e publikuar shihej se ata ishin hoxhallarë të cilët nga fillimi ishin deklaruar kundër shkuarjes atje, e për më tepër fotoja ishte bërë në një seminar të hapur të mbajtur atje e që ishte incizuar bile, kjo gjithçka mund të quhet vetem gazetari jo. 

Se jemi popull paragjykues kjo as që do koment, por se paragjykimi mund të e çojë aq larg dikë saqë t’ia dëshiroj dikujt burgimin e përjetshëm, kalbjen në burg apo edhe vdekjen, dhe atë “pa u gjykuar fare” kjo është serioze dhe mjaft e rrezikshme. Lexojmë kudo shkrime apo më mirë të them shkarravina ku bëhet thirrje për linçim të personave të njohur, por nuk kursehen duke kërkuar edhe mbylljen apo shkatërrimin e BIK-ut e të xhamive, që janë të shenjta për komunitetin shumicë në Kosovë e që janë muslimanët. Në pothuajse të gjitha mediat elektronike dhe ato vizive të arrestuarit e para ca ditëve tashmë nuk trajtohen si të dyshuar për terrorizëm por si “terroristë” dhe Islami nuk konsiderohet si fe por si ekstremizëm që qon në luftëra dhe në vrasje. Kërcnime të shumta vërehen në secilin nga portalet tona e gjithashtu edhe në rrjete sociale e që janë shumë serioze, të tilla si: “Këta s’kanë vend në Kosovë dhe duhet të luftojmë për t’i larguar, duhet me i vra krejt e jo veq kta 40, i urrej me shpirt të gjithë këta e sidomos Shefqetin, burgosni të gjithë muslimanët, internoni në Siri a Arabi nëse doni të lulëzoj ky vend, këta po na fëlliqin kombin dhe fenë e vjetër”, e shumë të tjera edhe më të ashpra. Një mendje e shëndoshë dhe jo-paragjykuese do e vërente qartë se kush janë ekstremistët e vërtetë, ata që kanë një identitet të vetin kombëtar apo fetar apo çfardo qoftë, apo ata të cilëve ju pengon pamja e dikujt, mendimi i dikujt apo besimi i dikujt. Vlen të shtrohet në diskutim edhe tema se a ka në Kosovë radikalizëm ateist apo radikalizëm të feve tjera…?!

Të kthehemi te rasti më konkretisht, të gjithë të arrestuarit për momentin janë vetëm të dyshuar për terrorizëm, janë të pafajshëm deri të provohet fajësia e tyre, janë djemtë e këtij vendi, janë rritur e shkolluar në Kosovë, disa prej tyre madje kanë qenë edhe pjestarë të UÇK-së. Shumica e tyre kanë deklaruar se kanë qenë vetëm deri në Turqi e disa as fare nuk kanë qenë jashtë Kosovës, vetëm katër prej tyre kanë qenë në Siri e që, siç thonë janë kthyer me të marrë vesh se atje nuk është siç kanë menduar por shumë më ndryshe. Duke u nisur nga vullneti jo dashakeq i këtyre personave në përpjekje për të ndihmuar një popull në nevojë siç ishim ne para 15 vitesh e që njerëz nga e gjithë bota erdhën të na ndihmojnë, nuk bën që aq shpejtë të i hudhim poshtë sikur të mos jenë fare bashkëkombasit tanë. Trajtimi i tillë i tyre provokon të tjerë persona që në saje të injorancës së tyre, të kalojnë në ekstremizëm dhe radikalizëm, e të shkojnë hapave të tashmë terroristit, Lavdrim Muhaxherit e shokëve të tij, që asgjë tjetër s’po i japin pos hijes së keqe, luftës për çlirim të popullit të përvuajtur sirian. L.M. me veprimet e tij nuk e përfaqëson Islamin si fe dhe as shqipëtarët si popull por vetëm veten e tij, organizatën e tij terroriste dhe atë të cilit i shërben, e që është djalli. Ndërsa mediat tona dhe ne si qytetarë në vend se të e bojkotojmë atë njeri të shitur e terrorist, i bëjmë publicitet ditë dhe natë duke e konsideruar si shqiptar, kur është parë qartë se ai nuk e njeh veten si të tillë pasi e ka djegur pasaportën e shtetit tonë shumë kohë më parë. 

Përdoret pa rreshtur fjala indoktrinim nga ata që se dijnë se as çka është doktrina dhe fyhet besimi i dikujt, i cili është aq i shenjtë e që mbrohet me ligj në tërë botën, përveçse tek ne. Kërkohet arrestim i klerikëve fetarë si të ishin kriminelë, e të shkretët që sikur ta dinin se do t’ua mveshnin edhe këtë, shumë më parë ishin deklaruar edhe zyrtarisht kundër shkuarjes për të luftuar në Siri. Ndjej keqardhje të thellë për atë se për këtë kohë kaq të shkurtë serbët e arritën atë që e kishin për qëllim që nga fillimi i luftës, të i quanin shqiptarët terrorista e UÇK-në ushtri terroriste. Pa u munduar fare arimqtë, ne ua bëmë qejfin, i arrestuam shqiptarët dhe vetë i quajtëm terroristë, e i bëmë aq shumë publicitet sa e mori vesh e tërë bota, në raportimet e mediave më të njohura botërore. U angazhua i tërë aparati shtetëror për t’i treguar të gjithëve se në popullin tonë ka terroristë dhe madje shumë, i kemi arrestuar 40 po ka edhe shumë të tjerë, paralel me këtë do ta çelim edhe gjykatën speciale për krimet e UÇK-së, e do të dënojmë edhe më shumë “terrorista”. Ngarendnin tërë pushteti e opozita për të thënë: kush se dha urdhër për arrestimet, e kush se e përshendet aksionin për t’i treguar botës se shqiptarët janë “terrorista”. Sikur të angazhoheshin me këtë përkushtim për kapjen e kriminelëve të vërtetë, do t’i kishim punët shumë më mirë, kaluan dy muaj nga vrasja e Elvis Pistës dhe ende nuk u gjet krimineli që e vrau atë mizorisht, Gani Geci ende nuk u kap edhe pse e vrau njeriun për pikë qejfi, e në pikë të ditës në qendër të qytetit, e shumë kriminelë të tjerë që sillen vërdallë.

Shumë nga të akuzuarit në arsyetimet e tyre thanë se në fakt indoktrinimin dhe frymëzimin për të shkuar në Siri e morën nga një “burrështetas” siç i pëlqen atij ta quaj veten, Enver Hoxhaj ministër i jashtëm, i cili pas takimit me opozitën siriane iu bëri thirrje gjithë BE-së dhe shteteve tjera që ta ndihmojnë madje edhe ushtarakisht Sirinë për ta rrëzuar diktaturën e Assadit. Po del se terroristi më i madh, e inspiruesi i atyre që shkuan në Siri të jetë ministri i jashtëm në largim, që kur mori vesh se u apostrofua nga të arrestuarit, nga droja tha se është krenar se kur ishte minsitër i arsimit, ua ka ndaluar shkollimin vajzave me shami, (kjo edhe më e rëndë) në shekullin XXI. Ky minstër përveç se bëri thirrje dhe motivim për “terrorizëm”, krenohet se edhe prodhoi analfabetë në vendin tonë aq të dashur. Për ata që se njohin vlen të përmendet se nëna e tij mban shami në kokë dhe gruaja e tij është praktikuese e namazit, por një njeri aq labil si “xhaxhi” ka turp për këtë dhe ndihet i kompleksuar se është përfaqësues i një shteti me shumicën e banorëve të besimit Islam.
Shpreh opinionin tim në lidhje me të arrestuarit, duke mos harruar ta marrim parasysh se të arrestuarit akuzohen edhe se iu bashkangjitën grupit tashmë të shpallur terrorist ISIS e i cili u formua pasi që kosovarët e akuzuar janë kthyer nga Siria ( pra katër prej tyre, së paku kështu ata deklarohen) që bën që kjo akuzë të jetë e pabazë. Mendoj se për të gjithë ata që ka fakte se janë fajtorë, për atë se kanë vrarë civilë të pafajshëm apo se kanë kryer ndonjë krim kinse në emër të Islamit të marrin dënimin e merituar sepse Zoti nuk thërret në vrasje të fëmijëve dhe të grave, të njerëzve të pafajshëm, por thërret madje, që gjatë luftës të mos dëmtohen as pemët. 
Të përfundoj ky “spektakël” sa më shpejtë, të mos i hudhim ujë në mulli armiqëve tanë kombëtarë e të i thonë botës se shqiptarët gjithmonë kanë qenë terroristë dhe se për atë i kemi luftuar. Nuk ka thënë kot shkrimtari shumë i nderuar Faik Konica se: “Armiqtë e shqiptarëve janë vetë shqipëtarët”. Ju ftoj, të bashkohemi për ta ngritur shtetin tonë aq të brishtë, ta luftojmë korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar, vëlla-vrasjet dhe papunësinë pasi që shumë njerëz u flijuan, që ne sot ta gëzojmë këtë shtet e që as së paku nuk është siç ata e dëshiruan e ëndërruan.

Mbes me shpresë që populli shqiptarë nuk do t’i gjykojë të tjerët nga pamja e jashtme, e të etiketohen të tjerët veç pse janë fjala bie të mbuluara, me gjithfarë emrash, krejt kjo për shkak të një identiteti të tyre, fundja zhveshja nuk është civilizim dhe s’ka pse të ofendohet dikush që parim e ka mbulimin e jo zbulimin, apo ofendohen të tjerët se kanë mjekërr, pasi që me këtë jo vetëm një pjesë të shoqërisë tonë e fyejmë, por e fyejmë edhe kujtimin tonë për figurat e njohura të kombit, siç ishin Sami Frashëri, Fan Noli, Mihal Grameno, Jeronim De Rada, Ismail Qemali, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Adem Jashari, Agim Ramadani e shumë e shumë të tjerë. Për ironi mjekërr kanë edhe ata që kryejnë krime të shumta lartë e poshtë por kjo nuk na jep të drejtë të paragjykojmë dikë se është i rruar e është si Milosheviçi, ka mustaqe dhe është si Hitleri, është prift dhe është pedofil, veshja e tij i ngjason një afrikani e t’i themi shko në Afrikë, zhveshja e saj e tepërt të bëjë që ta quajmë të pandershme e shumë paragjykime të tjera të pështira, që nuk kontribuojnë në asgjë tjetër përveçse në nxitjen e urrejtjes në mes të shqiptarëve që kurrë më parë si sot nuk kanë qenë të përçarë, saqë ka ardhur koha që sot si në kohën e komunizmit të frikësohet njeriu se çka flet edhe me shoqërinë e tij. Na mbetet të punojmë shumë, e mbi të gjitha të lexojmë. Paragjykimet thyhen, vetëm me LEXIM!



______________________________________________________________________________


Plotësim për ata që flasin dhe nuk lexojnë asnjëherë:

“Doktrinë “ – Pikëpamje, ide, koncept, etj.
(Lesh quhen qimet në vendet intime por jo qimet që dalin në kokë e që janë flokët, qimet mbi sy që janë vetullat, mbi kapakët të syve që janë qerpikët, mbi buzë që janë mustaqet, dhe nën buzë e në pjesën me të madhe të fytyrës që quhet mjekërr).


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.