Thaçi këmbëngul: Qeverinë e formon fituesi i zgjedhjeve


E martë, 28 Tetor 2014

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një reagimi në faqen e tij në “Facebook”, ka përsëritur qëndrimin se institucionet e vendit do të krijohen nga partia që fitoi zgjedhjet.

Teksa ka vlerësuar se zgjedhjet e 8 qershorit ishin të lira, demokratike dhe transparente, Thaçi ka shkruar qeveria e re e vendit do të ndërtohet duke respektuar rezultatin zgjedhor të 8 qershorit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Zgjedhjet e 8 qershorit ishin fer, të lira, demokratike dhe transparente. Këto zgjedhje u organizuan për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. U shënua sukses historik për shtetin tonë të ri. Institucionet qendrore dhe lokale po shtrinin autoritetin shtetëror në gjithë territorin. Sovrani, populli foli dhe u deklarua lirshëm”, shkruan Thaçi.

Ai shtoi se ashtu siç pritej, Partia Demokratike e Kosovës shënoi fitore të pastër, bindëse dhe spektakolare. Më tej ai thekson se për fat të keq për vendin dhe qytetarët, pesë muaj pas zgjedhjeve, ndërtimi i institucioneve mbahet i bllokuar.

“Koha kur Kosova qeverisej nga liderë që përjetësisht nuk kanë arritur të fitojnë numra dyshifrorë në zgjedhje të lira, ka mbaruar përgjithmonë”, konstaton Thaçi, duke shtuar se qeveria e re e vendit do të ndërtohet duke respektuar rezultatin zgjedhor të 8 qershorit dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kosovës i duhen institucione stabile, efektive dhe shumë përfshirëse të fokusuar në krijim të vendeve të reja të punës”, thotë ai.

Etiketa: , , ,