E martë, 8 Tetor 2013
Drenas, 8 tetor – PDK-ja në Drenas tubimin parazgjedhor nuk e ka mbajtur në Sheshin “Fehmi Lladrofci”, por në ambient të mbyllur, sallën e kulturës, me numër të kufizuar hapësire dhe ulësesh. Kjo në Drenas është komentuar si frikë se numri i pjesëmarrësve në shesh nuk do të ishte si përpara, raporton Koha Ditore.
Para të pranishmëve lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se në Drenicë janë bërë ndryshime të mëdha, falë udhëheqjes së suksesshme të njerëzve të PDK-së. “Në Drenicë nuk ishte investuar me dekada, por me PDK-në, Drenica ka pësuar ndryshime të mëdha. Është investuar në të gjitha fushat. Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë projektet për Drenasin, në mënyrë që qytetarët e kësaj komune të ndjehen më mirë dhe të jetojnë më mirë”, ka deklaruar ai.
Thaçi i ka folur edhe për ish kolegët e tij partiak qe kanë krijuar subjekt të ri politik dhe i ka akuzuar ata për tendenca qëllimkëqija. “Këta njerëz janë përpjekur ta prishin imazhin e PDK-së, por unë ju them që të kthehen në shtëpinë e madhe, sepse dyert janë të hapura për ta. Ata nuk kanë askund vend tjetër, përveç në PDK”, ka porositur i pari i PDK-së, i cili ka shprehur bindjen se fitorja e PDK-së në këtë komunë do të jetë edhe më e thellë.
Edhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, pasi ka folur për të arritur gjatë 2 mandateve të qeverisjes se tij, është marrë edhe me ish-bashkëpartiakët që kanë themeluar Iniciativën Qytetare për Drenasin. “Ata do ta pësojnë humbjen edhe më të madhe se në zgjedhjet e para katër vjetëve”, ka shprehur ai bindjen e tij.