E martë, 15 Shtator 2015
Prishtinë – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ndihet shumë i lumtur për përkrahjen që ka marrë Kosova në nisje të procesit për anëtarësim në UNESCO, por shprehet se Serbia po e pamundëson këtë proces, çka bien ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Në një intervistë për “Danas”, ai ka thënë se gjuha e zyrtarëve serbë është e papranueshme dhe e ngjashme me kohën e Millosheviçit.
“Gjatë javës së shkuar, 44 shtete kanë mbështetur kërkesën që Republika e Kosovës për anëtarësim në UNESCO të futet në agjendën e Këshillit Ekzekutiv. Po e shikuat agjendën e këtij këshilli në vitet e shkuara, ky është numër rekord shtetesh që janë bashkënënshkruese të iniciativës dhe tregon se ka një argument të gjerë në botë sipas të cilit Kosova nuk duhet të mbesë e izoluar, por të jetë e integruar në bashkësinë ndërkombëtare, i tha shefi i diplomacisë së Kosovës për gazetën “Danas”.
Referuar reagimeve të palës serbe lidhur me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Thaçi u shpreh: “Reagimet (e Serbisë) bien ndesh me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa pjesë janë të papranueshme. Kemi dërguar nota proteste në të gjitha vendet anëtare për shkak të gjuhës që përdorin zyrtarët serbë, e cila është fare e papranueshme. Mendoj se shumica e shteteve të UNESCO-s vlerëson që ne nuk jemi të angazhuar në një fushatë të tillë negative dhe, ta them të vërtetën, nuk lodhem për taktikat serbe, jam i fokusuar në mbledhjen e votave për njerëzit e rinj të Kosovës që të fitojnë të njëjtat shanse si të gjithë të rinjtë e tjerë në botë në pjesëmarrje në trupin global që i kushtohet kulturës, arsimit dhe shkencës”.
Thaçi ka saktësuar se angazhimet e Kosovës janë drejtuar në marrin e rekomandimit pozitiv të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s në tetor, e më pas, shumicën prej dy të tretave për anëtarësim në nëntor. Sipas tij, faza e fundit e marrëveshjes se Brukselit i referohet asaj që Serbia përfundimisht ta pranoj planin e Ahtisaarit. “Implementimi është thelbësor, e gjithashtu është e rëndësishme edhe sjellja në pajtim me marrëveshjen e Brukselit. Në Bruksel, qeveria serbe është treguar shumë e gatshme që të tregojë sjellje ndërfqinjësore ndaj Kosovës, kurse më pas në Paris apo në Nju Jork, ata edhe me tej e përdorin gjuhën e kaluar të Millosheviçit”, ka thënë Thaçi.
Zv.Kryeministri ka ritheksuar se marrëveshja-paketë e firmosur në Bruskel muajin e shkuar mes Kosovës dhe Serbisë do të funksionojë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Në fund, ai është pyetur edhe për Forcat e Armatosura, për të cilat ka thënë se, |Kosova do t’i ketë Forcat e saja të Armatosura, sepse kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe tregues i domosdoshmërisë. Kemi marrë mjaft mbështetje nga NATO për forcat tona të sigurisë dhe evoluimin e tyre dhe tani e kemi përfunduar edhe Strategjinë e Sigurisë”.
Etiketa: Hashim Thaçi, Kosova, UNESCO