Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Nisin takimet dypalëshe në Bruksel

| 19:25 - 07.10.2013

Bruksel, 7 tetor – (E plotësuar) Në Bruksel ka nisur takimi midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, aktualisht po takon kryeministrin (e Serbisë), Daçiq; kjo do të pasohet nga një takim dypalësh i Ashtonit me kryeministrin (e Kosovës), Thaçi. Takimi i përbashkët pritet pas dy takimeve bilaterale”, bën të ditur zyra e BE-së, transmeton REL.
Temë kryesore e bisedimeve të sotme Thaçi-Daçiq pritet të jetë përparimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Delegacioni i Serbisë për bisedimet e sotme në Bruksel, p[os kryeministrit Ivica Daçiq, përbëhet edhe nga këshilltari i kryetarit serb, Marko Gjuriq, nga ministri pa portofol i angazhuar për çështje të Kosovës, Aleksander Vulin dhe nga sekretari i Qeverisë së Serbisë, Velko Odaloviq, raportojnë mediat serbe.
Pritet që darka e punës ndërmjet kryeministrave Thaçi dhe Daçiq me pjesëmarrjen e Baroneshës Ashton të përfundojë diku rreth mesnatës.

Prishtinë, 7 tetor – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka sqaruar nëse do të lëshojë pe lidhur me vendimin për moslejimin e liderëve serbë për të hyrë në Kosovës gjatë fushatës zgjedhore. Thaçi ka theksuar se ka kaluar koha e luftës së ftohtë dhe duhet të kemi një komunikim më të mirë ndërfqinjësor, raporton KTV.

“Ka kaluar koha e luftës së ftoftë, duhet të kemi një komunikim të mirë dhe serbët në Kosovë duhet të kenë inkurajim që të dalin të votojnë”, është shprehur Thaçi pasi është pyetur nëse do të lejojë liderët serbë që të hyjnë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore. Ai u ka bërë thirrje liderëve serbë që të inkurajojnë qytetarët e tyre në Kosovë që të dalin në votime. Ndërsa, i pyetur se cilat do të jenë temat që do të diskutohen të takimin e sotëm që do të zhvillojë në Bruksel me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, dhe baroneshën Ashton, ai ka thënë se njëra ndër temat do të jetë edhe mbajta e zgjedhjeve në Kosovë. Nga ana tjetër, kryeministri serb Daçiq, ka thënë se vendimi i Prishtinës është skandal i paparë deri tash dhe se ai nuk e sheh veten në këto bisedime derisa ky vendim të jetë në fuqi.


Arivisti Company