Trafikim njerëzish në Pejë


E premte, 10 Qershor 2016

policia-e-kosoves

6 të rijnë nga Shqipëria dhe një kosovarë janë arrestuar në Pejë, pas një bastisje në një kafene në të cilën dyshohej se po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me njerëz, me ç’rast është bërë edhe identifikimi i një viktime të trafikimit.
Të arrestuarit, me vendim të prokurorit janë ndaluar në mbajtje prej 48 orëve, derisa gjatë bastisjes Policia ka sekuestruar si prova materiale 7 telefona celularë, para kesh dhe një fletore.

Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Pejë, me datën 9 qershor 2016, ka realizuar një operacion policor të suksesshëm, i cili ka rezultuar me arrestimin e (7) personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘trafikim me njerëz’.

Ky operacion policor është realizuar në rajonin e Pejës, ku me urdhëresë të Prokurorisë është bërë kontrolli i një kafiterie, në të cilën dyshohej se po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me njerëz, me ç’rast është bërë edhe identifikimi i një viktime të trafikimit.

Nën dyshimin e bazuar për përfshirje në vepër penale me këtë rast janë arrestuar:
B. O. lindur me 1984 m/sh/Kosovës
S. Xh. lindur me 1996 m/sh/Shqipërisë
E. T. lindur me 1990 f/sh/Shqipërisë
M. I. lindur me 1993 f/sh/Shqipërisë
Xh. Sh. lindur me 1993 f/sh/Shqipërisë
M. H. lindur me 1991 f/sh/Shqipërisë
J. Q. lindur me 1988 f/sh/Shqipërisë

Gjatë këtij operacioni si prova materiale janë sekuestruar:
· 1195 euro
· shtatë (7) telefona celularë
· një (1) fletore me shënime që lidhen me rastin.

Të arrestuarit me vendim të prokurorit janë ndaluar në mbajtje prej 48 orëve.