Trafiku i drogës Shqipëri- Itali-Holandë, pranga 33 shqiptarëve


E enjte, 23 Janar 2014

Policia italiane ka shkatërruar një rrejt të trafikut të drogës, e cila udhëhiqej nga shqiptarët. Guardia Di Finanza në saj të një operacioni të ndërmarrë mëngjesin e sotëm ka arrestuar 35 persona, nga të cilët 33 ishin shqiptarë, një serb dhe një vajzë rumune.

Policia ka bërë të ditur se banda kriminale udhëhiqej nga tre shqiptarë, të cilët kryenin trafik ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës. Mediat italiane bëjnë të ditur se, organizata kriminale trafikonte heroinë dhe kokainë nga Holanda drejt Italisë, dhe kryesisht në zonat e Toscana, Puglia, Lombardia, Friuli Venezia Giulia, Veneto dhe Emilia Romagna.

Shkak për zbulimin e saj dhe arrestimin e anëtarëve të organizatës u bënë 3 shqiptarë, të cilët ishin vënë nën vëzhgim për shkak të lëvizjeve të dyshimta dhe të shpeshta mes Holandës dhe Shqipërisë. Ndërkohë, të ndaluarve identitetet e të cilëve nuk bëhen të ditur, iu sekuestruan materiale dhe prona të lëvizshme dhe të palëvizshme me një vlerë prej mbi 2 milionë euro.

Detaje të tjera pritet të dalin më vonë, pasi policia do të dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me aksionin e ndërmarrë./shekulli/