Transferohen 900 lëndë për krime lufte te Eulex-i


E enjte, 21 Shkurt 2019

PRISHTINË – Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot takimin e 162-të në të cilin është diskutuar Strategjia për Krime të Luftës.

Kryeprokurorja speciale, Drita Hajdari, ka prezantuar Strategjinë për Krime të Luftës deri sa ka thënë se nga Eulex-i kanë trashëguar afër 900 lëndë të krimeve të Luftës.

“Që nga qershori 2018, Prokuroria Speciale ka marr kompetenca për të ndjekur penalisht krimet e luftës. Nga ajo kohë deri në fund të vitit 2018 Eulex i ka transferuar afër 900 lëndë të krimeve të luftës. Bazuar në mungesën e progresit në fushën e krimeve të luftës gjatë mandateve të Unmik-ut dhe Eulex-it, Lumezi ka hartuar strategjinë për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Gjendja aktuale e trashëguar në këtë fushë kërkon që të qasemi me strategji”, tha Hajdari.

Hajdari tregoi se kohëve të fundit është duke përfaqësuar një rast për masakrën më të madhe që është bërë gjatë luftës.

“Në këtë gjykim nuk ka medie, nuk ka kamera dhe mendoj që nuk është mirë për Kosovën”, tha ajo.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se misionet ndërkombëtare nuk janë treguar të suksesshme për adresimin e krimeve të luftës.

“Qëllimi ka qenë që të kemi një strategji për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës duke marr parasysh se partneret ndërkombëtarë nuk kanë treguar ndonjë progres. Duke marr parasysh situatën që do të transferohet një numër i madh i lëndëve. Qëllimi është që kryesit e krimeve t’i biem para ligjit. Në bazë të Strategjisë duhet të jenë 5 prokurorë. Këto lëndë në të ardhmen duhet të trajtohen me prioritet. Pas dy dekadave gjendemi në fillim. Një numër i madh i deklaratave dhe provave nuk gjendet në dosjet që i kemi ne sepse janë jashtë Kosovës. Prandaj paraqitët nevoja që të rrisim bashkëpunimin me vendet e rajonit e sidomos me Serbinë pavarësisht gjendjes politike. 28 shkurt 1998 20 qershor 1999 do të jetë periudha e hetimit për krimet e luftës”, tha Lumezi, raporton EO.

I pari i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se Strategjia për Krime të Luftës është strategjia më e rëndësishme derisa ka paraqitur Raportin Vjetor të KPK për vitin 2018-të.

“Është ndër strategjitë më të rëndësishme që kemi. Kemi për detyrë t’i vlerësojmë resurset e domosdoshme për punën në këtë strategji. Kjo strategji për krimet e luftës ka paraparë edhe një mekanizëm monitorues”, tha ai.

Etiketa: , , , ,