Turi veror i gjigantëve të futbollit, në tri kontinente


E enjte, 28 Mars 2019

Pavarësisht fundit të kampionateve elitare të futbollit, të apasionuarit pas këtij sporti do të kenë vetëm pak javë mungesë nga spektakli i garantuar.

“International Champions Cup”, turneu që mbledh ekipet më të njohura në miqësoret parasezonale, prezantoi kalendarin e ri.

Të shpërndara në 3 kontinente, nga Amerika e Veriut, në Azi dhe në Europë, ndeshjet do të luhen në stadiume me kapacitete të mëdha, si një antipastë e Champions League që do pasojë këtë turne.

Beteja e parë sezonale Inter-Juventus do të zhvillohet në Kinë. Dy ekipet italiane do të sfidohen në qytetin e Nanxhing, pasi më parë do të debutojnë respektivisht ndaj Tottenhamit dhe Manchester United në Singapor.

Për “Djajtë e kuq” dhe “Spurs”-at rezervohet gjithashtu një derbi anglez, para mijëra të pranishmëve në Shangai. Por jo vetëm kaq.

Një prej pikave kulmore të turneut është derbi madrilen mes Realit dhe Atleticos, më 26 korrik në Nju Xhersi, vetëm një javë përpara se ekipi “Los Blancos” i trajnerit Zidane të sfidojë Bayern Munchen në Teksas.

“International Champions Cup” është një turne me 12 ekipe, që do të mbahet në 15 qytete të ndryshme këtë verë.

Etiketa: